Mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë ka rinisur me një kërkesë nga Partia Demokratike për shtyrjen e afateve dhe për rinisjen e seancave që janë zhvilluar pa praninë e opozitës, pas përjashtimit të deputetëve të saj gjatë kaosit në Kuvend.
Deputetja Zheni Gjergji theksoi se Partia Socialiste kishte thirrur dëshmitarët në mënyrë të njëanshme, pa u koordinuar me opozitën.
“Ky komision në moralin e vet, i kërkoj kolegëve të maxhorancës që kanë zhvilluar seanca pa opozitën, ti bëjmë thirrje kryetares së kuvendit ta shtyjmë sërish këtë komision. Emrat ju i keni thirrur në mënyrë të njëanshme”, tha Gjergji.
Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi thotë se në ditët e fundit të komisionit, dëshmitarët po avullojnë.
“Po avullojnë dëshmitarët, tani që jemi në fund, kanë filluar të gjithë të sëmurën rëndë, sjellin raporte 10 ditore. Kemi dy dëshmitarë që ishin thirrur sot, Altin Biba thotë se ka marrë raport 10 ditor dhe nuk mund të paraqitet”, u shpreh Vokshi.