Në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, kritikoi masën ekstreme të “arrestit me burg” për qytetarët që nuk kanë kryer vepra të rënda, duke përmendur përdoruesit e drogës, të cilët trajtohen njësoj si trafikantët.
Ai theksoi se është e padrejtë që dikush të dënohet për përdorim të drogës me të njëjtën masë si ata që posedojnë sasi të mëdha.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u përgjigj duke theksuar se Kodi i Ri Penal, që do të miratohet së shpejti, do të përafrohet me standardet europiane dhe do të synojë zvogëlimin e dënimeve me burg për veprat jo të rënda.
Manja theksoi se burgu duhet të jetë masë ekstreme dhe se politika e dënimit duhet të ndihmojë në parandalimin e dënonjave të tilla, veçanërisht për shkeljet më pak të rënda.
Saimir Korreshi: Di që janë në burgje njerëz vetëm pse janë përdorues të drogës dhe jo shpërndarës. A po bëhet gjë në lidhje me këtë problem, që ai përdoruesi që kapet me 0.75 gram mos dënohet njësoj si ai që kapet me 1 kg drogë?
Ulsi Manja: Zëri më i madh i të ardhurave të Ministrisë së Drejtësisë shkojnë për burgjet. Ne na kërkohet të përafrojmë legjislacionin penal me atë të BE dhe kërkohet të vihet në miratim Kodi i ri Penal. Politika e dënimit duhet të jetë brenda standardeve të BE-së. Burgu duhet të jetë si masë ekstreme. I qëndroj asaj që kam thënë, në projektin e ri të Kodit Penal, duhet të kemi politikë dënimi që të përpiqet ta ndalojë sa më tepër dënimin me burg, për vepra jo të rënda.
Kur të vijë Kodi i Ri Penal, do të jetë për disa dekada në fuqi. Kodi i Ri Penal duhet të konsultohet publikisht dhe duhet të koordinohet me Brukselin. Kemi 20 zyra të ndihmës juridike në gjithë Shqipërinë, për t’ju ardhur në ndihmë shtresave në nevojë.