Partia Socialiste ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të shtyrë sërish afatin e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë. Nënkryetari socialist, Plarent Ndreca, theksoi se kërkesa për shtyrje është e panevojshme, duke argumentuar se komisioni ka funksionuar me dakordësinë e opozitës, megjithatë, përjashtimi i deputetëve të PD-së erdhi për shkak të aksionit të tyre politik në Kuvend, jo për shkak të veprimeve të komisionit.
Deputeti socialist, Petro Koçi, e mbështeti këtë qëndrim, duke theksuar se komisioni është shtyrë tashmë dy herë dhe një shtyrje e tretë do të ishte e paqartë dhe jo serioze. Ai gjithashtu kritikoi përpjekjet për ta kthyer komisionin në një “show mediatik”, duke e shndërruar në konferenca shtypi, në vend që të realizohej hetimi në mënyrë të duhur.
Ndreca: Ne kemi bërë shtyrjen me këtë lloj dëshirë që ne ta bëjmë këtë komision sëbashku. Nuk ka pasur në asnjë moment nga ana e mazhorancës që ky komision të bëhej pa prezencën tuaj. Aksionet tuaja politike sollën pasojë marrjen e masave që s’janë marrë në këtë komision, por diku tjetër.
(Ilir Metaj ngre zërin)
Vokshi: Kujt ia ngre zërin ti… jemi këtu për të hetuar për një komision që e kemi kërkuar vetë.
Ilir Metaj: Bëni aty dërr dërr
Vokshi: Mos e ngri zërin se do përjashtohesh, kujtoni se do na shkelni me këmbë ju. Aksionin politik e tregojmë në vende të tjera, këtë komision nuk e kemi lidhur me aksionin politik, mos devijo nga e vërteta.
Vokshi-Ilir Metajt: Mos devijo, se për këtë punë të kanë sjellë këtu.
Ndreca: Gjykata e vlerësoi, nuk kanë fuqi prapavepruese, kjo nuk funksionon kështu. Unë po them që kërkesa të zhbëjmë çfarë është bërë, ndërkohë që në komision kanë qenë përfaqësuesit tuaj. Kanë qenë katër anëtarë komisioni që kishin mundësinë të ishin prezent për të bërë pyetje. Ne nuk kishim seanca me votim, ishim në seanca pyetjesh. Mundësia nuk i është hequr opozitës për të qenë prezent, nuk ishte seancë më votim, ishte seancë pyetjesh. Ka qenë edhe kryetarja madje, nuk kemi hequr mundësinë për opozitën, ne me kryetaren e komisionit kemi patur dakordësi të plotë, qëllimi ka qenë ta bëjmë bashkë, por duke respektuar edhe afatet që na kishte caktuar seanca plenare. Unë mendoj që nuk ka më sens që të bëjmë shtyrje pas shtyrje, besoj që ia dalim, e kemi gjithë mundësinë për ta bërë. Sa i përket dëshmitarëve që nuk kanë ardhur, jam dakord me ju, të thirren sipas parashikimeve ligjore.
Petro Koçi: E kemi shtyrë dy herë, nuk mendoj se do jetë serioze të bëjmë një shtyrje të tretë. Jam dakord të ushtrojmë instrumente shtrëngues për të gjithë ata dëshmitarë që janë të domosdoshëm. Me këtë lloj taktike që hajde ta mbajmë komision gjatë që të rrimë në media dhe e kthejmë nga një seancë pyetëse në konferenca shtypi, kjo nuk shkon.