Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, duke e quajtur atë një “burrë guximtar”, për shkak të qëndrimit të tij gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur në një ngjarje në qytetin rus të Soçit, presidenti rus tha se Trump ishte “i përndjekur nga të gjitha anët” gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Putin ka komentuar edhe deklaratat e Trumpit, që sugjeronin se ai mund të mbyllte luftën në Ukrainë “brenda një dite”, duke thënë se kjo mundësi “meriton vëmendje”. Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se si mund të ndodhte kjo.
Përveç kësaj, Putin ka përmendur edhe incidentin e korrikut, kur Trump u qëllua, duke lavdëruar reagimin e tij të guximshëm, ku Trump, pas goditjes, tha “luftoni, luftoni, luftoni”. “Ai u soll me shumë guxim, si një burrë,” tha Putin.
Në lidhje me mundësinë e diskutimeve me Trump, Putin u shpreh: “Ne jemi gati, jemi gati”, duke shtuar se do të priste një takim me të. Trump gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me Putin, duke thënë se “do të flasim”.
Kremlini është akuzuar më parë për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016, për të mbështetur Trumpin në garën kundër Hillary Clinton, akuzë që Moska ka mohuar vazhdimisht. Hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller nuk ka gjetur prova të një komploti të fshehtë midis fushatës së Trump dhe Rusisë./BBC