Vendosni fjalën kyçe....

Trump zgjedh këshilltaren e tij Susie Wiles si shefen e ardhshme të kabinetit


Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi Susie Wiles, një nga drejtueset e ekipit të fushatës së tij, si shefe të kabinetit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë, gruaja e parë që do të ketë këtë post të rëndësishëm.

Enërimi i zonjës Wiles është vendimi i parë madhor i zotit Trump si president i zgjedhur dhe mund të jetë një provë përcaktuese për administratën e ardhshme të tij, pasi i duhet të krijojë shpejt ekipin që do të ndihmojë në drejtimin e qeverisë federale.

Zonja Wiles nuk sjell shumë përvojë të qeverisë federale në këtë rol, por ka një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e zgjedhur. Gjatë fushatës, ajo arriti të bënte atë që pak të tjerë kanë mundur ta realizojnë – të ndihmonte në kontrollin e impulseve të zotit Trump, duke fituar respektin e tij dhe duke treguar se ishte më mirë që ai të ndiqte këshillat e saj sesa t’i injoronte ato.

“Susie është e fortë, e zgjuar, krijuese dhe admirohet dhe respektohet në të gjithë botën. Susie do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta bërë Amerikën përsëri madhështore,” tha zoti Trump në një deklaratë. “Ajo e meriton plotësisht që të jetë shefja e parë femër e kabinetit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Nuk kam asnjë dyshim se ajo do ta bëjë vendin tonë krenar.”

Shefat e kabinetit shërbejnë si personat më të besuar të presidentit, ndihmojnë në ekzekutimin e agjendës së presidentit dhe balancojnë prioritetet politike.

Zonja Wiles është një këshilltare republikane me bazë në Florida, e cila drejtoi fushatat e zotit Trump në këtë shtet në vitet 2016 dhe 2020, si edhe fushatën e suksesshme të guvernatorit të Floridës Ron DeSantis në vitin 2018./AP