Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy-ditore në Aleksandri, Egjipt, ku u prit në një takim nga Guvernatori i Aleksandrisë, Zëvendës-Admirali, Ahmed Khaled Hassan Said.
Në këtë takim, ata diskutuan mbi perspektivat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore mes Tiranës dhe Aleksandrisë, dy qytete të cilat në vitin 2025 do të bashkëndajnë titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Tirana është zyrtarisht kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, bashkë me Aleksandrinë e famshme, ku prej 200 vitesh kemi pasur një koloni shqiptarësh, të Andon Zako Çajupit, të Jani Vretos, të Thimi Mitkos. Një pasuri e jashtëzakonshme që na jepet si mundësi sot për të treguar kulturën tonë këndej dhe andej Mesdheut. Ndaj, e vlerësoj shumë gatishmërinë e qeverisë së Egjiptit, të princeshës së Jordanisë, të të gjithë Unionit të Mesdheut, për ta bërë Tiranën simbolin e bashkëjetesës Mesdhetare të Kulturës dhe të Dialogut”, tha Veliaj pas vizitës.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes Tiranës dhe Aleksandrisë, dy qytete që po përgatiten të jenë promotorë të dialogut dhe bashkëjetesës mesdhetare për vitin 2025.
43 Shtetet Anëtare të Unionit për Mesdheun shpallën Tiranën dhe Aleksandrinë dy Kryeqytetet e para të Kulturës dhe Dialogut, dhe do ta mbajnë këtë titull përgjatë gjithë vitit 2025.