Vendosni fjalën kyçe....

Zyra e Netanyahut nuk gjen qetësi, dy zyrtarë nën hetim për nxjerrje të materialeve të ndjeshme


Dy zyrtarë të lartë në zyrën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu janë nën hetim për përfshirjen e tyre të mundshme në rrjedhjen e materialeve të ndjeshme nga kamerat e sigurisë, njoftuan mediat lokale të enjten,

Faqja e lajmeve “Ynet” raportoi se bashkëpunëtorët e Netanyahut kanë mbledhur pamjet e kamerave të vëzhgimit të një përplasjeje midis ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe stafit të sigurisë në zyrën e kryeministrit.

Pamjet thuhet se janë marrë me qëllimin për t’i përdorur ato për ta diskredituar Gallantin, të cilin Netanyahu e shkarkoi këtë javë, duke e arsyetuar vendimin me mungesën e besimit të ndërsjellë gjatë kohës së luftës.

Zyra e Netanyahut mohoi raportimet për materiale të rrjedhura, duke i etiketuar ato “shpifje”.

Të dielën, gazeta izraelite Haaretz publikoi detaje të një skandali që përfshin Netanyahun në lidhje me emërimin e një zëdhënësi i cili ka marrë pjesë në “seanca të ndjeshme sigurie”.

Zëdhënësi është emëruar “megjithëse nuk kishte kaluar një leje sigurie”, tha gazeta.

Skandali i fundit i sigurisë vjen ndërsa qeveria e Netanyahut po përballet me një sërë krizash politike dhe të sigurisë, duke përfshirë shkarkimin e Gallantit, i cili ka shkaktuar kundërshtime të konsiderueshme, si dhe sulmet intensifikuara të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit.

Izraeli ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, duke vrarë afro 43.500 palestinezë dhe duke e bërë enklavën pothuajse të pabanueshme.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në enklavën e bllokuar.