Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 29-vjeçar, pas një incidenti të rëndë që ndodhi në lagjen “Kodra e Shtufit”, ku një 21-vjeçar u plagos me armë të ftohtë, konkretisht me thikë. Ngjarja, e cila u shkaktua nga një konflikt i çastit për motive të dobëta, ka lënë të plagosur rëndë të riun, i cili po merr ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit bëri me dije se autori i plagosjes, shtetasi L. Dh., 29 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Kodra e Shtufit”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin L. Dh., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. H., 21 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Shtufit”, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.