Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar se ka nisur blerja e votave për zgjedhjet e 2025-ës, duke theksuar se kjo është një praktikë që do të vazhdojë, pasi, sipas tij, Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të siguruar një mandat të katërt.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha i bëri thirrje shqiptarëve, qoftë atyre brenda vendit dhe atyre në diasporë, të denoncojnë çdo akt të blerjes së votës, duke u bërë apel që të identifikojnë dhe raportojnë raste të tilla. Ai shtoi se PD është angazhuar për të krijuar rregulla më të qarta dhe transparente për votën e diasporës, duke garantuar se emigrantët do të kenë mundësi të votojnë sipas rregullave të përcaktuara nga partia.
“Ekipi po punon për rregullat më transparente dhe më të sigurta për votën e diasporës.
Dhe i siguroj emigrantët tanë, diasporën, shqiptarët jashtë vendit se PD do përcaktojë rregullat më të qarta.
Sikundër theksoj se më vijnë sinjale se kanë filluar blerjen e votës që tani, dhe ftoj shqiptarët ta evidentojnë këtë akt dhe ta denoncojnë qoftë në komunitetin ku janë, qoftë në Shqipëri, sepse e them se Edi Rama nuk do lërë mjet pa përdorur për të siguruar mandatin pasi e di se veprat e rënda penale që ka kryer i kushtojnë atij pjesën tjetër të jetës”, tha ai.