Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fushën e mbetjeve urbane në Elbasan, duke shpërthyer gjatë natës dhe vijuar ende. Shtëllunga të mëdha tymi dhe era e keqe e shkaktuar nga djegia e mbeturinave kanë mbërthyer lagjen periferike të qytetit, duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin e banorëve të zonës, e cila është shumë e populluar.
Për momentin, shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, megjithatë dyshohet për zjarrvënie, ndonëse siguria në zonën ku ndodhet inceneratori është e nivelit të lartë.
Aktualisht, 20 efektivë dhe 5 mjete zjarrfikëse nga Elbasani po mundohen të izolojnë flakët. Në ndihmë të tyre janë nisur edhe mjete zjarrfikëse nga bashkia e Cërrikut.