Intelektuali, studiuesi dhe ish pedagogu shqiptar “Mbi të Drejtën Penale”, Profesor Ismet Elezi, tashmë po përgatitet të nxjerrë botimin e rradhës mbi fushën juridike.
Edhe pse në moshën 104 vjeçare, Profesor Elezi, ka punuar për këtë botim vite me rradhë deri në ditët e sotme për ta bërë këtë botim sa më të plotë.
Ai në emisionin “Shekullorët” në RTSH, është shprehur se nuk u nxitua me botimin e tij para kohe, pasi filloi Reforma në Drejtësi, të cilën ai e priti të përfundonte, që në këtë mënyrë ky botim të jetë i vlefshëm për gjithë juristët.
“Prandaj iu vura kësaj pune për Kulturën Juridike. Libri është temë e re, e patrajtuar më parë.” – shprehet Profesor Elezi.
Profesor Ismet Elezi për rreth 50 vjet punoi si pedagog. Gradën shkencore e ka marrë në vitin 1961, kurse titullin “Profesor” më 1972. Ka krijimtari të gjerë shkencore me mbi 8000 faqe të botuara.
Vepra shkencore: “E drejta zakonore penale e shqiptarëve” ka marrë çmimin e Republikës. Vepër me vlerë të veçantë është dhe “E drejta zakonore e Laberisë”. Është autor i disa teksteve të së drejtës penale (Pjesa e Posaçme) si dhe bashkëautor i teksteve të tjerë.