Vendosni fjalën kyçe....

Protesta kundër Trump-it shpërthejnë në SHBA nga New York deri në Seattle


Të shtunën, mijëra njerëz dolën në rrugë në qytete kryesore të SHBA-së, përfshirë New York City dhe Seattle, për të protestuar kundër rizgjedhjes së Donald Trump-it si president, duke shprehur frustrimin e tyre për kërcënimet ndaj të drejtave riprodhuese dhe premtimet për deportime masive gjatë presidencës së tij të ardhshme, percjell The Guardian.

Në New York City, protestuesit e grupeve avokuese për të drejtat e punëtorëve dhe drejtësinë për emigrantët u mblodhën jashtë Trump International Hotel and Tower në 5th Avenue, duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Ne mbrojmë njëri-tjetrin” dhe “Zoti President, sa kohë duhet të presin gratë për liri?”

Protestues të tjerë mbanin pankarta me mesazhe si: “Ne nuk do të tërhiqemi” dhe thërrisnin: “Ja ku jemi dhe nuk po largohemi!” 

 

Protesta në kryeqytet dhe qytete të tjera 

Në Uashington DC, pjesëmarrësit e Marshit të Grave protestuan jashtë Fondacionit Heritage, një think-tank konservator që mbështet Projektin 2025, një platformë e detajuar për axhendën e administratës së ardhshme të Trump-it.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Gratë e sjellshme nuk bëjnë histori” dhe “Ku është liria ime kur nuk kam zgjedhje?” Ndërkohë, ata thërrisnin: “Ne besojmë se do të fitojmë!” 

Në Seattle, turma u mblodh pranë Space Needle. Protestuesit, disa prej të cilëve kishin veshur pelerina shiu ndërsa të tjerë mbanin keffiyeh në solidaritet me palestinezët për shkak të luftës së përgjakshme të Izraelit në Gaza, dëgjuan fjalime kundër Trump-it dhe sistemit politik amerikan.

“Çdo president që ka ardhur në pushtet gjithashtu ka zhgënjyer punëtorët,” deklaroi një folës. 

Të premten, protestuesit u mblodhën jashtë Bashkisë së Portlandit, Oregon, ku pankartat përfshinin mesazhe si: “Luftoni fashizmin” dhe “Kthejeni frikën në luftë”. Cody Urban, kryetar i kapitullit amerikan të Ligës Ndërkombëtare për Luftën e Popujve, tha për KGW:

“Ne kemi luftuar për vite për shëndetësi, strehim dhe arsim. Qoftë Trump apo [Joe] Biden, ne nuk i kemi marrë këto dhe duam të bëjmë presion për t’i realizuar.” 

Në Pittsburgh, Pennsylvania, dhjetëra protestues u mblodhën në Parkun Point State me pankarta që lexonin: “Ne nuk do të kthehemi mbrapsht” dhe “Trupi im, zgjedhja ime”. Steve Capri, një organizator i Socialist Alternative, tha për WPXI TV: “Ne kemi frikë nga ajo që po vjen, por nuk do të tërhiqemi. Trump-i është një sulm ndaj të gjithëve ne, prandaj duhet të bashkohemi, të organizohemi dhe të mësojmë së bashku.” 

Këto protesta pasqyrojnë një zemërim të gjerë dhe rezistencë ndaj politikave të Trump-it, ndërsa përgatitet të nisë mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.