Vendosni fjalën kyçe....

Talibanët do të marrin pjesë në konferencën e OKB-së për klimën për herë të parë


Talibanët do të marrin pjesë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për klimën për herë të parë prej se e morën pushtetin në Afganistan më 2021, njoftoi agjencia mjedisore e vendit të dielën.

Konferenca, e njohur si COP29, fillon të hënën në Azerbajxhan dhe është njëra nga tubimet më të rëndësishme shumëpalëshe që përfshin edhe talibanët, të cilët nuk njihen zyrtarisht si udhëheqës të ligjshëm të Afganistanit.

Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit e Afganistanit njoftoi në rrjetin social X se e ka dërguar një delegacion teknik në Baku për të marrë pjesë në konferencë.

Matiul Haq Khalis, kreu i agjencisë, tha se delegacioni do ta përdorë konferencën për të forcuar bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, për të ndarë nevojat e Afganistanit në lidhje me qasjen në mekanizmat ekzistues financiarë për ndryshimet klimatike dhe për të diskutuar përpjekjet për adaptim dhe për zbutjen e ndikimeve.

Ekspertët kanë thënë për Associated Press se ndryshimet klimatike kanë sjellë ndikime të shumta dhe negative në Afganistan, duke krijuar sfida serioze për shkak të vendndodhjes gjeografike të vendit dhe politikave të tij të dobëta klimatike.

Në gusht, agjencia ndërkombëtare e ndihmës, Save the Children, e publikoi një raport i cili thotë se Afganistani është vendi i gjashtë më i ndjeshëm ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe se 25 nga 34 provincat e tij përballen me kushte të rënda, ose katastrofike të thatësirës, duke prekur më shumë se gjysmën e popullsisë.

Sipas raportit, Afganistani gjithashtu ka numrin më të lartë të fëmijëve të mbetur të pastrehë për shkak të fatkeqësive klimatike, krahasuar me çdo vend tjetër deri në fund të vitit 2023.

Profesori Abid Arabzai nga Universiteti i Kabulit tha se konferenca mbi klimën do të ndihmojë në sigurimin e ndihmës dhe financimit ndërkombëtar për të adresuar sfidat klimatike të Afganistanit.

Afganistani mund të sqarojë veprimet dhe angazhimet e tij klimatike përballë komunitetit global, duke përmirësuar reputacionin e tij ndërkombëtar”, tha Arabzai./REL