GJKKO lë në ‘arrest me burg’ Leonard Luzi, i akuzuar për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt.
Luzi u ekstradua dje nga Spanja. Ai mbërriti në vendin tonë 4 muaj pas arrestimit në Spanjë, ndërsa sot u njoh me masën e sigurisë.
47-vjeçari, i cili njihet dhe me emrin Leonard Sejno u arrestua në Spanjë në korrik 2024 dhe akuzohet se është organizatori dhe porositësi i atentatit të dështuar të ndodhur në gusht 2023.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Luzi mbërrin dje në aeroportin e Rinasit dhe shoqërohet nën masa të rrepta sigurie.
47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, kishte organizuar vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës, por ky krim u parandalua nga Policia pasi policia arrestoi në gusht 2023 Amarildo Nikollin me pistoletë gati për qitje. 6 muaj pas arrestimit të Nikollit, u zbardh që objektiv i atentatit të këtij grupi kriminal kishte qenë i forti i Vlorës, Inez Hajrulla.
Për atentatin ndaj Hajrullës, më herët ka rënë në pranga Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi që u ekstradua sot. Në kërkim rezulton ende Erio Zejno. Luzi kishte planifikuar atentatin për hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij, Erigert Ferik (Zejno) në 2013. Një nga personat e dyshuar ai autor ka qenë edhe Ervis Matodashaj, mirëpo një vit më vonë gjykata vendosi pushimin e hetimeve për mungesë të provave ndaj tij.