Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i GJKKO cakton trupin gjykues për Metën dhe Kryemadhin


Vendoset gjyqtarja që do shqyrtojë ankimimin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Pas hedhjes së shortit do të jetë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Igerta Hysi e cila do të marrë në shqyrtim kërkesat e ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

Ankimimet janë bërë përkatësisht për kërkesat për ndryshimin e masës “arrest me burg” për Ilir Metën dhe për masën “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, çështje që janë ende në hetim nga organet e drejtësisë.

“…kjo gjykatë regjistroi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.
Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi”, njofton GJKKO.