Vendosni fjalën kyçe....

Bllokimi i emigrantëve për strehim në Shqipëri nga gjykata Italiane, Elon Musk ndërhyn me kritika


Miliarderi Elon Musk të martën u bë pjesë e debatit të nxehtë rreth politikës mbi emigracionin të qeverisë italiane, duke komentuar mbi vendimet e gjykatësve se emigrantët e ardhur nga vende të tjera nuk duhet të dërgohen në Shqipëri. Komentet e tij nxitën kritika nga juristë dhe nga opozita e vendit.

Gjyqtarët italianë të hënën kundërshtuan mbajtjen e një grupi të dytë emigrantësh që u dërguan në kampet në Shqipëri, të cilat menaxhohen nga Italia dhe e dërguan rastin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, përcjell VOA.

“Këta gjyqtarë duhet të ikin”, komentoi zoti Musk, njeriu më i pasur në botë që luajti një rol të rëndësishëm në rizgjedhjen e zotit Trump për president në Shtetet e Bashkuara. Ai i bëri këto komente në platformën e tij X.

Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini, udhëheqës i partisë “Lega”, një parti e djathtë ekstreme me prirje kundër emigracionit, u përgjigj në gjuhën angleze: “Elon Musku ka të drejtë”.

Por Partia Demokratike e qendrës së majtë e quajti komentin një “ndërhyrje të papranueshme”.

Ernesto Carbone, i cili është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e kritikoi zotin Musk si një prej “oligarkëve të rinj” që synojnë “të kontrollojnë politikën botërore dhe që paraqesin rrezik për demokracinë”.

Shoqata Kombëtare e Juristëve të Italisë gjithashtu shprehu “befasinë” e saj me ndërhyrjen e manjatit të teknologjisë.

“Nuk është çështja thjesht tek pavarësia e gjyqësorit, por sovraniteti i shtetit italian”, tha nënpresidentja e shoqatës Alessandra Maddalena.

Një gjykatë në Romë u kërkoi të hënën gjykatësve të Bashkimit Evropian që të shqyrtojnë mbajtjen në Shqipëri të emigrantëve që kapen në det. Duke e referuar rastin tek Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendimi e pengon sërish përpjekjen e qeverisë së djathtë italiane për të zbatuar planin e saj mbi emigracionin e paligjshëm.

Kryeministrja Giorgia Meloni firmosi marrëveshjen për ndërtimin e kampeve të emigrantëve në Shqipëri, ku po dërgohen disa prej emigrantëve që kapen në Mesdhe. Ata duhet të mbahen në këto kampe, ndërsa përpunohen kërkesat e tyre për azil.

Një grup migrantësh nga Egjipti dhe Bangladeshi, u dërguan në Shqipëri pasi u kapën në det, javën e kaluar. Fillimisht ishin tetë prej tyre, por njëri u transferua në Itali, për arsye shëndetësore.

Gjyqtarët i dhanë goditjen e parë planit muajin e kaluar, duke vendosur që grupi i parë i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri duhej të kthehej në Itali. Vendimi u mori për shkak të shqetësimeve mbi statusin e tyre ligjor, pas një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së për këtë çështje.

Emigrantët që pritet të dërgohen në Shqipëri janë meshkuj që vijnë nga një listë vendesh që Italia i ka klasifikuar si të sigurta, që do të thotë se kërkesat e tyre për azil kanë pak shanse për t’u pranuar dhe ata mund të riatdhesohen me shpejtësi.

Por në vendimin e tyre të parë, gjyqtarët thanë se kjo ishte kundër një vendimi të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, i cili vendosi se një vend jashtë bllokut evropian nuk mund të shpallet i sigurt, nëse nuk e ka të tërë territorin e tij pa rreziqe.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa njoftoi se pas vendimit të gjykatës së Romës emigrantët do të largohen nga qendra e ndalimit dhe do të transferohen në Itali dhe do të mbërrijnë në portin jugor të Brindizit.

Çështja ka nxitur një përplasje të ashpër mes qeverisë dhe gjyqtarëve javët e fundit. Ministri i drejtësisë akuzoi gjykatën për dështim të zbatimit të ligjit të BE-së, ndërsa gjyqtarët thanë se ata thjesht po zbatonin ligjin.

Kabineti qeveritar muajin e kaluar përditësoi statusin ligjor të listës së vendeve të sigurta, duke e ngritur rëndësinë e saj, nga një dekret ministror në një akt ligjor. Qeveria besonte se kjo do ta bënte më të vështirë për gjykatat të kundërshtonin vlefshmërinë e vendimit.