Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi deklaroi në emisionin “Frontline Interview” në Report Tv se opozita iu kthye jetës normale parlamentare pasi historia i ka treguar që kaosi nuk ishte rruga e duhur.
“Është historia që tregon se rruga e ndjekur deri tani nuk është rruga e duhur. Jo që të sjell në pushtet, por në debatin politik. Nuk ishte hera e parë, historia ka treguar të gjithëve që parlamenti është për të debatuar. Është veprim për t’u përshëndetur, pasi parlamenti i i një vendi që negocion anëtarësimin në BE, i takon të ketë edhe protestën, por më shumë se protestën i takon të ketë debatin parlamentar”, tha Klosi.
Klosi theksoi se nuk ka asnjë shans për qeveri teknike, një kërkesë të opozitës.
“Nuk ka asnjë shans që të ketë qeveri teknike. Nuk kemi legjislacion që kërkon para zgjedhjeve qeveri teknike”, theksoi Klosi.