Vendosni fjalën kyçe....

Marco Rubio konfirmohet për postin e Sekretarit të Shtetit


Donald Trump ka konfirmuar emrin e senatorit Marco Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit.

Nëse kjo zyrtarizohet atëherë politikani nga Florida do të jetë hispaniku i parë që do të shërbejë si shefi i diplomacisë amerikane.

Senatori Rubio momentalisht shërben si nënkryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin. Ai gjithashtu është anëtar i Komisionit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Zoti Trump njoftoi të martën se ka zgjedhur ligjvënësin republikan Mike Waltz për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Zoti Waltz njihet për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Kinës, përcjell VOA.

Guvernatorja Noem ishte përmendur si kandidate e mundshme e zotit Trump për postin e Nënpresidentes gjatë fushatës zgjedhore. Ajo momentalisht është në mandatin e saj të dytë si guvernatore pas një fitoreje bindëse në vitin 2022.

Ndërkaq, nga lista e ngushtë e kandidatëve të zotit Trump për Sekretar Shteti, Senatori Rubio është politikani që ka folur më hapur për një politikë të jashtme më të ashpër ndaj kundërshtarëve gjeopolitikë të Amerikës, përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën.

Gjatë viteve të fundit ai ka zbutur disa nga qëndrimet e tij për t’iu përshtatur atyre të zotit Trump. Presidenti i zgjedhur akuzon presidentët e kaluar të Shteteve të Bashkuara se e kanë angazhuar Amerikën në luftra të kushtueshme dhe të panevojshme dhe ka folur në mbështetje të një politike të jashtme më të përmbajtur.

Administrata e re do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se sa ishte kur zoti Trump mori detyrën në vitin 2017. Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme po vazhdojnë ndërsa Kina vazhdon të lidhet më ngushtë me armiqtë e Uashingtonit, Rusinë dhe Iranin.

Pesëdhjetë e tre vjeçari Rubio ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë në vend që të përqëndrohet në rimarrjen e të gjithë territorit që Rusia e ka pushtar në dekadën e fundit. Ai ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihmash ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, të miratuar në muajin prill.