Kryetari i njësisë administrative Fushë-Kuqe, Kristo (Fred) Martinaj, është ndaluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Kurbin, pas disa javësh hetimesh, për shpërdorim detyre dhe përfitim të paligjshëm nga toka në zonën e mbrojtur të lagunës së Patokut.
Sipas njoftimit të Policisë, Martinaj, 55 vjeç, dyshohet se ka porositur individë të ndryshëm për të hedhur inerte në afërsi të lokalit të tij, me qëllim që të përfitonte një sipërfaqe toke në këtë zonë të mbrojtur. Hetimet, të udhëhoqura nga Prokuroria, kanë çuar në ndalimin e tij, ndërsa materialet procedurale janë dërguar për veprime të mëtejshme për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “pushtimi i tokës”.
Njoftimi i Policise:
Tentoi të përfitonte një sipërfaqe toke në lagunën e Patokut duke shpërdoruar detyrën, ndalohet kryetari i njësisë administrative Fushë-Kuqe, Kristo (Fred) Martinaj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Kurbin, njoftuan sot (12 Nëntor) se si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë ndaluar me iniciativë shtetasin Kristo (Fred) Martinaj, 55 vjeç, me detyrë kryetar i njësisë administrative Fushë-Kuqe.
“Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka porositur shtetas të ndryshëm, për të hedhur inerte në afërsi të lokalit të tij, në zonën e mbrojtur të lagunës së Patokut, me qëllim përfitimin e sipërfaqes së tokës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “pushtimi i tokës”, teksa pritet të zbardhen edhe detaje të tjera nga aktiviteti i paligjshëm.