Vendosni fjalën kyçe....

Pagesat me kartë u rritën me 36% për 9-mujorin


Pagesat me kartë kanë vijuar rritjen edhe tremujorin e tretë dhe po shënojnë këtë vit vlerat më të larta historike.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e pagesave më kartë për këtë tremujor arriti në 21.4 miliardë lekë, 27.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Për të gjithë 9-mujorin 2024, vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 29.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë 9-mujorit, numri total i pagesave me kartë arriti në pothuajse 13.9 milionë, në rritje me 36.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pagesat me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS) kanë rritur gjithashtu peshën e tyre kundrejt totalit të veprimeve me kartë, që sidoqoftë vazhdon të dominohet nga tërheqjet cash në ATM. Pagesat me kartë në terminale POS për 9-mujorin përbënin 44% të numrit total të veprimeve kartë dhe 15.5% të vlerës totale të tyre.

Vlerësohet se turizmi është një nga faktorët kryesorë që po i jep shtysë të fortë pagesave me kartë në vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rritën me 17% për 9-mujorin e parë të këtij viti.

Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me shtimin e numrit të bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 23 496, në rritje me 26.5% krahasuar me një vit më parë.

Paralelisht, në rritje është edhe numri i kartave të pagesave. Në fund të muajit shtator, numri i kartave aktive arriti në 1.52 milionë, në rritje me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti dominues ngelen kartat e debitit, që përbëjnë më shumë se 87% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.

Numri i kartave të debitit arriti në 1.23 milionë, në rritje vjetore me 7.7%. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve. Rritja e numrit të kartave të debititi është sidomos një tregues i rritjes së depërtimit të produkteve dhe shërbimeve bankare. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, afërsisht 70% e shqiptarëve kanë tashmë një llogari bankare.

Zhvillime pozitive këtë vit po regjistrohen në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të 9-mujorit, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në pothuajse 122 mijë, me një rritje prej 3.2% krahasuar me një vit më parë. Kartat e kreditit janë një produkt kryesisht i konceptuar për pagesa jo cash, ndaj ecuria e tyre mund të jetë një indikator më domethënës për të treguar orientimin e publikut shqiptar drejt pagesave me kartë.

VINI RE: Kymaterial është pronësi intelektuale e Monitor