Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoresha e AKSHI-t zbardh detaje mbi sulmin iranian ndaj Shqipërisë: Katër ekipe të organizuara me mbështetje shtetërore


Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm për luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike, e pranishme ishte edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj. Ajo ndau me anëtarët e komisionit detaje të rëndësishme mbi sulmin kibernetik të organizuar nga Irani ndaj Shqipërisë, duke zbuluar se katër skuadra të veçanta ishin përfshirë në këtë sulm.

Sipas Karçanajt, çdo skuadër kishte një rol të caktuar në realizimin e operacionit, me synimin kryesor për të fshirë sistemet dhe të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Ajo theksoi se operacioni ishte mbështetur nga shteti iranian dhe se çdo ekip kishte një detyrë specifike: njëra skuadër filloi sulmin dhe krijoi terren, tjetra lëvizi brenda infrastrukturës, një skuadër tjetër siguroi hyrjen në sisteme, ndërsa skuadra e katërt, e njohur si skuadra e “zjarrit”, u angazhua për fshirjen e të dhënave.

Karçanaj gjithashtu bëri të ditur se Ambasada Amerikane kishte ofruar mbështetje me një ekip të FBI-së të specializuar në krimet kibernetike, që analizoi sulmin dhe arriti në përfundimin e njëjtë me atë të ekipit shqiptar. Ajo theksoi se, falë backup-eve, ishte mundur të rikuperoheshin rreth 10% të të dhënave që u fshin gjatë sulmit.

“Ambasada Amerikane na suportoi me skuadrën më të përgatitur të FBI për Cyber që punuar një muaj për analizën duke dalë në të njëjtin përfundim si ne. Ndërkohë që ne ndihmonim të dyja skuadrat me analizë duhet të ngrinim edhe sistemet pasi qytetarët ishin pa shërbime. Sërish u përfshi Crisp, një nga skuadrat e Microsoft për recovery, dhe në 2 janë 10 përqindëshi që u fshi u rikuperua. Kjo për shkak se kemi Back Up-e.

Nga ky moment nisi edhe puna jonë për kalimin në aproacing 0 trust, moment kur Microsoft dhe FBI arritën në përfundimin se çfarë kishte ndodhur. Na kishin sulmuar katër skuadrat më të zgjuara të Iranit, të mbështetura nga shteti i Iranit, i kishin ndarë shumë mirë rolin, njëra për të nisur sulmin dhe krijuar terren, tjetra për të lëvizur brenda infrastrukturës sonë, një tjetër sërish për hyrjen, sepse donin siguri që do të hynin dhe e fundit skuadra e zjarrit që do të bënte wiper”, tha ajo.

Duke mos ditur që punimet e komisionit po transmetoheshin në faqen e Kuvendit, ajo ka zbuluar detaje nga sulmi iranian, ndërsa u desh një prej anëtareve të ekipit të saj ta vinte në dijeni që gjithçka po transmetohet, që zonja Karçanaj të kërkonte që transmetimi të ndërpritej dhe punimet të vijonin pa praninë e kamerave.