Anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për Sterilizimin kanë dorëzuar një kërkesë për të thirrur për dëshmim kryeministrin Edi Rama, e cila është firmosur nga shtatë deputetë të opozitës në komision. Ata kërkojnë që Rama të dëshmojë në cilësinë e Kryeministrit, pasi ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të shërbimeve të sterilizimit dhe ka mbështetur publikisht këto koncesione, edhe pas nisjes së hetimeve penale nga organet e drejtësisë.
Në dokumentin e publikuar nga Partia Demokratike, kërkohet gjithashtu që Vilma Nushi, pronare e dy kompanive që kanë përfituar një nga këto koncesione, të thirret si dëshmitare këtë të mërkurë. Sipas opozitës, Nushi ka përfituar një shumë prej 1.5 milionë eurosh në formë dividenti nga këto kontrata.
Deputetët e PD-së kanë shprehur shqetësim për refuzimin e përsëritur të mazhorancës për të thirrur si dëshmitarë Edi Ramën dhe Vilma Nushin, duke e konsideruar këtë qëndrim në shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të ligjeve në fuqi për Komisionet Hetimore.
“Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm Z. Edi Rama por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si inicues të këtij Komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë”, thuhet në dokumentet e publikuara.