Teatër e ka quajtur mosbindjen civile analisti Ergys Mërtiri. Teksa komentoi aktualitetin politik, ai tha se i gjithë aksioni i opozitës është lojë pasi për të bërë mosbindje civile duhet të kesh popullin me vete.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 Mërtiti shtoi se opozita bën sikur zihet me PS-në ndërkohë që bën marrëveshje me të. Sipas tij, komisioni për Sterilizimin nuk ka asnjë vlerë duke qenë se po hetohet nga SPAK.
“Komisioni për Sterilizimin nuk ka çfarë të nxjerrë. Ky Komision është nul, pasi këtë çështje po e heton SPAK, që është institucion më serioz. Këta në atë Komision po pyesin Ilir Beqajn, që e ka arrestuar SPAK. E gjitha bëhet për zhurmë. Komisioni ishte produkt i marrëveshjes Berisha-Rama, e gjitha kjo është pjesë e spektaklit. Për mua, opozita nuk duhet të kishte dalë nga parlamenti. Opozita bën sikur zihet dhe të krijohet ideja sikur këtu po ndodh gjëma. Nuk ka mosbindje civile, është lojë, është teatër. Mosbindja civile nuk është e dhunshme dhe nuk e bën partia opozitare, por e bën populli. Që të bësh mosbindje civile, duhet që të kesh popullin me vete, duhet që njerëzit mos shkojnë në punë dhe qeveria të ulet në tryezë për marrëveshje. Kjo “mosbindja civile” i ka shërbyer Ramës.” – tha Mërtiri.
Ai shtoi gjithashtu se qytetarët kanë hallet e veta e jo të kreut të PD-së Sali Berisha.
Mërtiri pohoi se PD-ja duhet të kishte prodhuar figura të reja dhe një program të ri për zgjedhjet 2025.
“Qytetarët kanë halle të tjera e jo hallin e Sali Berishës. Kur opozita del në rrugë, ju krijon probleme me vonesa qytetarëve. PD duhet të kishte prodhuar figura të reja, program të ri. Kjo është qeveria më e keqe që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, por populli nuk e mbështet opozitën, sepse oligarkët i kanë njësoj.” – shtoi Mërtiri.