PD-ja ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik, duke qenë se borxhet e kompanive publik janë në nivel tejet të lartë.
Në një deklaratë për mediat, anëtari i kryesisë Eno Bozdo tha se Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë në rajon, po pavarësisht kësaj kompanitë publike janë në kolaps.
“Rama dhe qeveria e tij rritën ndjeshëm çmimin e energjisë në emër të shëndoshjes ekonomike të tri ndërmarrjeve publike që zotërojnë sektorit: KESH, OST dhe OSHEE. Një dekadë më vonë, të treja kompanitë, sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Financave, i kanë borxh shtetit, domethënë shqiptarëve, afro 600 milionë euro. Por nuk mbaron me kaq. Vetëm detyrimet e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizime ndaj OSHEE janë rreth 380 milionë euro. Por ka edhe një të dhënë tjetër edhe më shqetësuese: detyrimet e ndërsjella mes kompanive publike dhe qeverisë janë rreth 1,7 miliardë euro.” – tha Bozdo.
Ai shtoi se shifrat e dhëna prej tij faktojnë kolapsin ekonomik të sektorit energjetik dhe keqmenaxhimin e qeverisë.
“Një shifër absurde por që tregon realisht kolapsin ekonomik të sektorit energjetik, keqmenaxhimin katastrofik, hajdutërinë dhe korrupsionin që karakterizon rilindjen edhe në këtë sektor. Prandaj Shqipëria e ka çmimin e energjisë të dytin më të lartë në rajon. Kompanitë e sektorit prej një dekade tashmë vuajnë, jo vetëm nga korrupsioni i niveleve të papërshkrueshme, por nga militantizmi i skajshëm politik. Me paratë e vjedhura vota blihet, dhe ai që nuk blihet, shantazhohet. Një qeveri teknike do të mundësonte disa kushte minimale për zgjedhje të lira.” – shtoi Bozdo.