Mbi 7 milionë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës, për përkrahjen e Fondit për Garanci Kreditore. Kjo, në kuadër të masës 2.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Masës 2.2 e cila është për “Mbështetje bizneseve për qasje në financa të pakos së ringjalljes ekonomike (MEPT)”.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndarja e mjeteve buxhetore është mbi 7 milionë euro.
“Ministria e Financave ka sjellë për aprovim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 7 milionë e 368 mijë e 410 euro, për zbatimin e masës 2.2 për mbështetje të bizneseve për qasje në financa të pakos së ringjalljes ekonomike”, ka thënë Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se si qeveria kanë mbështetur Fondin për garancitë kreditore për të shtuar kapitalin.
“Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që kemi për sektorin privat për zhvillimin e ekonomisë së vendit në mënyrë të qëndrueshme, ne si qeveri kemi mbështetur Fondin për garancitë kreditore për ta shtuar kapitalin në vazhdimësi, pra për të mbuluar apo financuar dritaret e ndryshme që janë në kuadër të këtij fondi”, ka thënë Murati.
Sipas tij kjo po bëhet është për të ofruar garanci për bizneset në mënyrë që të mos kenë nevojë të ofrojnë hipoteka.
“Në mënyrë që të vazhdojë rritja e garantimit të kredive që bizneset dhe ekonomia e vendit të ketë qasje më të lehtë në financa duke mos pasur nevojë që të ofrojnë hipoteka si garanci apo pengje të tjera, ne do të vazhdojmë edhe me transferin e radhës që është në vlerë prej 7 milionë 368 mijë e 410 euro në kuadër të masës 2.2”.
Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar plotësim/ndryshimet në Ligjin për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ndryshimet në këtë Ligj janë të nevojshme për procesin integrues në Bashkimin Evropian. Ndryshimet, siç ka thënë Murati, janë bërë sipas direktivave të BE-së.
Gjithashtu, u miratua edhe shqyrtimi i draftit të raportit nëntë mujor financiar të buxhetit të Kosovës për vitin 2024.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor