Kryetarja e Kuvendit Spiropali ka pritur në zyrë homologun nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi.
Gjatë takimit, kryeparlamentarja theksoi se Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut kanë bashkëpunim të ngushtë e intensiv në të gjitha nivelet dhe se anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita për secilin vend.
“Avancimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, zhvillim pozitiv për të gjitha vendet e rajonit. Anëtarësimi në BE, proces i bazuar në merita. Çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit. Krenarë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë faktor i integrimit euro-atlantik. Shqipëria synon që të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në 2030 dhe kjo datë është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm. Ky moment pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga i gjithë rajoni. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces i bazuar në merita, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të BE-së dhe jo nga faktorë a rrethana të tjera.” – theksoi Spiropali.
Gjatë takimit kryetarja e Kuvendit shtoi se respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit europian të Maqedonisë së Veriut.
Spiropali theksoi edhe rëndësinë e Korridorit 8, si një projekt i madh strategjik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë.