Vendosni fjalën kyçe....

Sterilizimi/ Petro Koçi- Vokshit: Je skllave e Berishës


Në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, një debat i ashpër ka shpërthyer mes deputetit të PS-së, Petro Koçi, dhe kryetares së komisionit, Albana Vokshi. Koçi e ka quajtur Vokshin “skllave të Sali Berishës”, duke akuzuar se komisioni po shndërrohet në një proces partiak që nuk ndihmon në zbulimin e korruptuarve, por përdoret si një armë për mbrojtjen e të pandehurve.

Vokshi i është përgjigjur duke theksuar se frika që ka PS-ja nga Berisha është e dukshme, pasi ai ka qenë një denoncues i fortë i aferave të qeverisë. Ajo ka theksuar se nuk do të ndalet deri sa të zbulohet se kush ka vjedhur paratë e shëndetësisë, duke paralajmëruar se askush që ka abuzuar me fondet e shëndetësisë nuk do të mund të gëzojë pasurinë e fituar nga ky krim.

Në përgjigje, Koçi ka theksuar se është gati të përballet me Berishën në çdo institucion të drejtësisë. Ndërsa Vokshi ka përfunduar duke thënë se “drejtësia vonon, por nuk harron”, duke theksuar se as Edi Rama, as Vilma Nushi dhe askush tjetër që ka abuzuar me paratë e shëndetësisë nuk do të shpëtojë.

Debati:

Koçi: Ky lloj procesi nuk ndihmon në identifikimin dhe ndëshkimin e  njerëzve të korruptuar. Një proces i parregullt ligjor kthehet në armë në dorën e të të pandehurve për tu mbrojtur në proceset e tyre ligjore. Nga një anë bëni sikur luftoni, përgojoni lloj lloj emrat duke e shndërruar në proces partiak.

Këtu jemi në kampe partiake dhe secili mbështet liderët përkatës, por nëse ka një njeri në komision që tërë jetën ka qenë në shërbim dhe skllave e kryetarit të vetë, deri në vetëflijim biologjik, ajo jeni ju zonja kryetare, në shërbim të kryetarit Sali Berishës.  

Ndërsa gjithë të tjerët mund të kenë pasur përplasje të tjera, edhe me kolegë të opozitës në rastin tuaj me Sali Berishën, në rastin tonë me Fatos Nanon dhe Edi Ramën. Ju jeni e vetmja që gjithë jetën keni qenë e gatshme për t’u vetëflijuar edhe biologjikisht për Sali Berishën.

Vokshi: A e kuptoni çfarë budallaqesh po flisni apo jo. Aq shumë frikë e keni Sali Berishën sa nuk keni lënë rast pa e përmendur. Ka qenë denoncuesi dhe është denoncuesi më i madh i korrupsioni në shëndetësi dhe në të gjitha aferat. Ju thoni mos përgojoni Vilma Nushin që ka futur në xhep paratë e analizave.

Koçi: Me Berishën jam gati të matem në cdo institucion drejtësie.

Vokshi: Sakrifikohem për të drejtat e qytetarëve që nuk marrin kurat, pacientët që nuk bëjnë kimioterapi. Për këtë sakrifikohem unë dhe të tjerët që janë e s’janë këtu. Ju sigurojmë që nuk do gëzojë as Edi Rama, as Vilma Nushi dhe secili që ka futur duart në paratë e mjekësisë. Drejtësia vonon por nuk harron. Asnjëri nuk do të gëzojë paratë e vjedhura të shëndetësisë