Për të tretën ditë radhazi, Komisioni Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up po vijon punimet e tij. Opozita ka insistuar që në këtë komision të dëshmojnë kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Shëndetësisë, Vilma Nushi. Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi që të thirret në komision dhe kryeministri Rama, duke e krahasuar këtë kërkesë me pjesëmarrjen e tij në Komisionin për Inceneratorët, ku Rama kishte dëshmuar.
Vasili e cilësoi si “absurde” pretendimin se kërkesa për dëshminë e Ramës është një kërkesë politike dhe theksoi se komisionet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Vasili: Desha të qëndroj në këtë pikë, të gjitha kërkesat e parashtruara nga opozita asnjë prej tyre nuk është një kërkesë për ju. Ky është pretendim absurd. Ne kërkojmë të dëgjohet Edi Rama. Kemi ndonjë status inferior ne si Komision Hetimor, ai i Inceneratorit ishte superior? Atëherë erdhi kryeministri. Ku është diferenca. Ne ça jemi komision i nivelit B, C?
Aq më tepër që roli i kryeministrit ka qenë shumë aktiv, pasi çështja penale kishte filluar për të mbrojtur këtë aferë. Dhe ne kërkojmë ta dëgjojmë, nuk bëjmë precedent ne këtu, vetëm nëse Rama nuk i bindet asnjë Komisioni. Ça parlamenti është këtu? Ku është drama këtu? Detyrohet të njohë dhe të respektojë autoritetin e parlamentit. Pse është politike që ju vetëvendosni dy standarde? Ku është politike kërkesa jonë?
Shtyrja e Komisionit nuk është kërkesë politike. Pa mbaruar dëshmitarët jo për fajin tonë, nuk ju fajësojmë as juve, të mbarojmë punë të bëjmë raportin përkatës për kuvendin, kjo do kohë.