Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, ka akuzuar opozitën se ka penguar punën e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, duke e cilësuar veprimin e opozitës si një “vrasje” të komisionit gjatë natës dhe përpjekje për ta qarë më pas në Kuvend.
Peleshi kritikoi opozitën për mbajtjen e diskutimeve boshe dhe për përqendrimin tek detaje teknike si përdorimi i videove dhe PowerPoint, në vend që të fokusohej në përmbajtjen e hetimit. Ai theksoi se kjo është një veprimtari që dëmton interesat e qytetarëve, të cilët duan të dëgjojnë diskutimet në komision, dhe e akuzoi opozitën se e përdor foltoren e Kuvendit për interesa elektorale personale.
“Kjo është seanca e dytë që më shumë se dy orë i kalojmë me gjasme procedurë. Kam përshtypjen se disa prej nesh harrojnë që kur vijmë këtu nuk janë thjesht vetvetja por janë mijëra qytetarë që përfaqësojnë dhe të përdorin mandatin për të marrë për gojë të gjithë Shqipërinë dhe ju duket sikur ju vlen për esapet tuaja elektorale.
Ne e respektojmë në heshtje të drejtën e opozitës që të përdorë këtë foltore, por ka një limit.
Po marrim nëpër kembë interesat e qytetarëve të cilët duan të dëgjojnë se çfarë flitet në Komision.
Nëse do dëgjonit qoftë për 10 minuta diskutimet në Komision do kuptohet se cila pale donte të bënte punën dhe kush ishte për ta vrarë atë komsion përgjatë gjithë natës dhe për ta qarë gjatë ditës këtu.
Duhet mos ta mbanin me diskutime boshe nëse diskutimi do mbahej me video apo jo. Power point do të thotë ekran laptop i projektuar në mur apo televizor”, tha Peleshi.