Në nisje të seancës plenare të sotme, tensionet e krijuara nga incidenti mes ish-ministrit Ilir Beqaj dhe deputetes Ina Zhupa në Komisionin Hetimor të “Sterilizimit” u pasqyruan sërish në Kuvend. Deputeti demokrat Flamur Noka i kërkoi kreut të Gardës të mbante përgjegjësi për lënien e komisionit pa siguri gjatë zhvillimit të mbledhjes, duke mundësuar hyrjen e Beqajt në sallë. Sipas Nokes, ky veprim i Gardës lejoj një person të paraburgosur të “intimidonte deputetët”, duke cënuar integritetin e mbledhjes.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e kritikoi ashpër Kryeparlamentaren Elis Spiropali për mos shqetësimin mbi kërcënimet ndaj deputetëve, duke theksuar se ajo duhet të shqetësohej për faktin që një person i paraburgosur, si Beqaj, u lejohej të lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit, ndërkohë që i injoroheshin procedurat e sigurisë.
Nderkaq Spiropali kërkoi që të priteshin kamerat dhe të shqyrtoheshin të gjitha rrethanat për ngjarjen e djeshme, ndërkohë që theksoi se ishte shprehur pendim për vendimin e Konferencës së Kryetarëve lidhur me mos shtyrjen e afateve të komisionit hetimor.
Pjesë nga diskutimi:
Noka: Duhet të mbajë përgjegjësi që mbrëmë e ka lënë komisionin pa gardistë në sallën ku zhvillohej komisioni. Beqaj guxonte të intimidonte deputetët.
Kryetari i Komisionit është ai që urdhëron Gardën ta lejojë të hyjë apo jo”
Bardhi: E para zonja Spiropali kur kolegu Noka po i drejtohej hajdutit 2 metrosh po i referohej Beqajt, nuk e di pse ju shkoi mendja tek kryeministri
Spiropali: Kjo foltore nuk mund të përdoret për të fyer askënd. Mos ta përdorim si armë atë mikrofon.
Nuk ka rëndësi a është kryeministër, i burgosur apo i paraburgosur.
Bardhi: Nuk keni asnjë të drejtë të më ndërhyni. Nuk e kuptova pse ju shkon mendja te Rama. Meqë kujdesesh për etikën, duhet të shqetësohesh që një i paraburgosur që ruhet sipas ligjit të posaçëm, dje lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit madje guxonte të futej në sallën e mbledhjes së komisionit dhe guxonte i pashqetësuar as nga Garda e as policia e burgjeve, për të ruajtur integritetin fizik të deputetëve, të kërcënonte deputetët.
Ju duhet të ishit shqetësuar për këtë jo për etikën tonë të komunikimit për një person që është kapur dy herë duke vjedhur.
Dje në Konferencën e Kryetarëve keni vendosur mos shtyrjen e afateve të komisionit, sipas ligjit të përfundosh pa mbyllur planin e hetimit është t’i mohosh opozitës të drejtën e hetimit.
Spiropali: Kërkesa për shtyrjen i është paraqitur dje Konferencës së Kryetarëve. Ndihem në faj që e kam çuar atë kërkesë edhe pse nuk kishte një vendim të ndërmjetëm. Nuk jap dot një koment në lidhje me ngjarjen pasi do të shihen kamerat dhe të gjitha rrethanat.
Bardhi: Nuk ka asnjë rregull në ligj që kërkohet vendim i ndërmjetëm nga komisioni për shtyrjen e afatit.