Një ekspozitë e re në Bibliotekën Huntington, Muzeun e Artit dhe Kopshtin Botanik, afër Los Anxhelosit, titulluar “Storm Cloud: Picturing the Origins of Our Climate Crisis”, shqyrton ndikimin e Revolucionit Industrial në mjedis dhe si artistët dhe shkencëtarët e shekullit të 19-të filluan të dokumentonin transformimet dramatike që po ndodhnin. Ekspozita përfshin rreth 200 objekte, përfshirë piktura, ilustrime shkencore, libra të rrallë dhe fotografi, duke paraqitur një panoramë të ndryshimeve që ka shkaktuar industrializimi, përdorimi i lëndëve djegëse fosile dhe rritja e ndotjes.
Një nga figurat kyçe në ekspozitë është piktori britaniko-amerikan Thomas Cole (1801-1848), i cili në vitin 1839 dokumentoi ndryshimet në natyrën e paprekur të fshatit nëpërmjet peizazheve monumentale, duke shfaqur ndikimin e industrisë. Në një prej veprave të tij më të njohura, ai tregon një pamje dramatike të Ujëvarës Portage në lumin Genesee, ku shkelja e natyrës nga industria duket qartë përmes pamjeve të errëta të reve dhe shkatërrimit të peizazhit.
Po ashtu, Philippe Jacques de Loutherbourg (1740-1812) dokumentoi përmes pikturës së tij “The Ironworks” transformimin e natyrës në skena industriale, duke paraqitur furrat dhe proceset e shkrirjes së metalit natën. Ndërsa shkencëtarët si Luke Howard (1772–1864) filluan të studiojnë efektet e urbanizimit dhe industrializimit mbi klimën, duke vënë re fenomenin e “ishullit të nxehtësisë” dhe “smogun” në qytetet e mëdha.
Ekspozita gjithashtu nderon punën pionieriste të Eunice Newton Foote (1819-1888), e cila e pa për herë të parë se dioksidi i karbonit (CO2) mund të bllokojë nxehtësinë dhe të ndikojë në klimën globale, një zbulim që më vonë u anashkalua nga shkencëtarët kryesorë të kohës. Shkrimtarët si Henry David Thoreau (1817-1862) gjithashtu dokumentuan ndryshimet mjedisore duke vëzhguar natyrën dhe duke regjistruar ndjeshmërinë ndaj ndërhyrjes njerëzore në ekosisteme.
Në ekspozitë, gjithashtu përmenden figura të tjera si John Ruskin, i cili kritikoi ndotjen dhe shkatërrimin e natyrës nga industria. Ai e quajti këtë ndotje “Reja e stuhisë së shekullit të 19-të”, duke paralajmëruar për ndikimin e dëmshëm të industrisë mbi klimën. Po ashtu, shumë artistë të kohës, si John Constable dhe James Ward, ofruan pamje të natyrës, shpesh duke i shmangur pasojat e dukshme të industrializimit.
Kjo ekspozitë e pasur ilustron se si artistët, shkencëtarët dhe mendimtarët e shekullit të 19-të filluan të kuptojnë ndikimin e industrializimit në mjedis, dhe si vëzhgimet e tyre, ndonëse të paqartë në atë kohë, tani shërbejnë si një paralajmërim i hershëm për krizat klimatike që përballemi sot./BBC