Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka akuzuar mazhorancën se është e involvuar në vjedhje dhe ka kërkuar që deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionet e bisedave të koduara si Sky dhe EncroChat.
Sula e bëri këtë deklaratë pas fjalimit të deputetit të Partisë Socialiste (PS), Toni Gogu, duke theksuar se ndërsa mazhoranca akuzon opozitën për krime dhe kërkon “pastrim”, ata vetë janë të përfshirë në skandale të mëdha korrupsioni.
“Sa veta ke në burg nga krahu jot? I ke numëruar ndonjëherë? Ju vidhni e na thoni pastrohuni ju. Ai tjetri thotë ishte e rrezikshme dëshmia e Ilir Beqajt do ju trondiste. Ne do na trondiste apo ju. Ore Beqaj a është i juaji apo i joni?! Jeni të çuditshëm. Një shqisë e keni që të kuptoni?! Sigurisht që s’kemi parë gjë akoma, inceneratori nuk është vjedhje e madhe 430 mln euro ne presim të kalojë 1 mld”, tha Sula.
Më tej ai i kërkoi kryeparlamentares Elisa Spiropali të mos bllokojë propozimin e PD-së që deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionet e bisedave Sky ecc dhe enchrochat.
“Kreu i grupit parlamentar të PD-së, grupi parlamentar i PD ju ka paraqitur juve një projektvendim që të bëhet një ndryshim në rregullore që 140 burra dhe gra të këtij parlamenti të deklarojnë nëse kanë përdorur chat dhe sky enchrochat.
Mos tentoni të bllokoni këtë projektvendim të grupit parlamentar të PD-së. Siç keni bërë dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese që i mbani në sirtar. Ne që s;kemi parë gjë akoma, i kemi dhe këtu mbrapa dhe këtu (para) me enchrochat dhe sky. Të jeni të sigurt që do shikojmë xhevahire. Për çfarë i duhet një ministri chati i inkriptuar për të folur me të dashurën, mund të flasin dhe me një telefon normal. Interesi publik është që të gjithë deputetët dhe politikanët të respektojnë ligjin. Prandaj znj. Kryetare mos blloko kërkesën tonë. Kryeministri nxori urdhër që trupa e policisë të bënte vetëdeklarimin, ndërsa vetë deputetët apo ministrat duhet të përjashtohen nga ky rregull. Është e pamoralshme kjo gjë”, tha deputeti i PD.