Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Princin Leka Zogu II, për incidentin e dhunës në familje që ndodhi disa muaj më parë në Oborrin Mbretëror. Sipas pretencës, kërkohet gjithashtu dënimi me 6 muaj burg për ish-bashkëshorten e Princit, Elia Zaharinë, dhe për babanë e saj, Gjergj Zaharinë.
Nëse shpallen fajtorë, organi i akuzës kërkon që dënimi të konvertohet në shërbim prove për të tre të akuzuarit. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 13 dhjetor.
Ky proces gjyqësor ka nisur pas publikimit të një videoje, në të cilën shfaqen konflikte fizike mes Princ Lekës, Elia Zaharisë dhe babait të saj, Gjergj Zaharisë. Ngjarja ka çuar në hetime dhe kallëzime për dhunë në familje. Në muajin prill, Gjykata e Tiranës zgjidhi çështjen e kurorës mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë, duke konfirmuar ndarjen e çiftit për shkak të konflikteve të vazhdueshme dhe mungesës së komunikimit. Pas këtij incidenti, të tre kanë marrë urdhra mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit.
Pas vendimit, Elia ka reaguar për Euronews Albania, por ka zgjedhur të mos komentojë këtë vendim.
“Unë jam mirë, sot isha prezente pas çeljes së panairit dhe do jem për 3 ditë me radhë në ndjekje të përditshme. Unë pata kënaqësinë dhe privilegjin të prezantoj çeljen e Panarit të 27 të Librit. Komenti që kam është që i ftoj të gjithë në këto 5 ditë feste në ngjarjen më të madhe kulturore në vend. Libri është miku më i mirë, të mundëson të jetosh shumë jetë. Më vjen keq por nuk kam koment, çështja është në gjykim, unë respektoj në heshtje procesin”, tha Zaharia.