Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet ministri i Shëndetësisë në Kroaci


Ministri kroat i Shëndetësisë dhe disa persona të tjerë u arrestuan të premten, të dyshuar për korrupsion, si pjesë e një hetimi të nisur nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), njoftuan autoritetet.

Ministri Vili Beroš, drejtorët e dy spitaleve në Zagreb dhe dy kompani janë nën hetim për “marrje dhe dhënie ryshfeti, shpërdorim të pozitës dhe autoritetit, si dhe pastrim parash,” deklaroi EPPO në Zagreb.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, shkarkoi menjëherë ministrin Beroš nga detyra, raportoi televizioni shtetëror HRT. Mediat kroate bënë të ditur se policia bastisi shtëpinë e tij në Zagreb herët të premten.

“Jam i tmerruar nga ideja se dikush në sistemin shëndetësor mund të përdorë pozicionin e tij për përfitime personale ose për favore,” tha Plenkoviç gjatë një konference për shtyp. “Sistemi shëndetësor është një sektor veçanërisht i ndjeshëm,” shtoi ai.

Avokatja e Berošit, Laura Valković, deklaroi se klienti i saj mohon çdo keqbërje.

Kroacia është përballur prej kohësh me probleme të mëdha të korrupsionit sistemik dhe politik. Në mesin e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ajo renditet vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare kundër korrupsionit si një nga shtetet më të korruptuara.

Sipas deklaratës së EPPO, pesë të dyshuar, gjatë periudhës qershor 2022 – nëntor 2024, “bashkëpunuan” për të siguruar përfitime të paligjshme financiare për dy kompani, duke ofruar dhe dhënë shpërblime monetare për zyrtarët përkatës.

“Qëllimi i tyre ishte që një prej kompanive të favorizohej për të shitur pajisje robotike mjekësore në disa spitale kroate,” theksohet në deklaratë. Grupi dyshohet gjithashtu se ofroi ryshfete për të manipuluar procesin e prokurimit publik dhe për të eliminuar konkurrencën, në favor të kompanisë së favorizuar.