Kreu i PD-së Berisha tha mbrëmjen e sotme se pas largimit të Sekretarit të Shtetit Blinken do nisë lëvizjet në SHBA për të paraqitur argumentet kundër shpalljes non grata.
Ai theksoi se nuk ka bërë asnjë lobim a pagesë në SHBA për të hequr non grata-n, të cilën e quajti grusht shteti ndaj një force konservatore për t’i dhënë pushtetin ushtarit të George Sorosit në Shqipëri, kryeministrit Rama.
“Nuk kam bërë asnjë lobim, asnjë pagesë. Thjesht padita në Gjykatë, Sekretarin e Shtetit për shpifje, dhe ky ishte rasti i dytë që ndodhte që një Sekretar Shtetit të paditej në gjykatë nga një shtetas i huaj. Unë nuk kam bërë asnjë lobim, përveçse një mik i vjetër, reganian, një avokat i famshëm, Charli Black, pasi u njoh me rastin iu drejtua me një letër një komisioni në kongresin amerikan për të nisur hetimet, duke shpallur veten “lobist pa asnjë pagesë”. Kam qenë i vendosur të mos shkel në SHBA përsa kohë Antony Blinken të mbante atë detyrë. Së shpejti falë sovranit amerikan ai largohet nga ajo detyrë dhe unë filloj përpjekjet e mia, sqarimet e mia, për të paraqitur të gjitha argumentet mbi grushtin e shtetit që u krye kundër një force konservatore, vetëm për t’i dhënë të gjithë pushtetin, një manari të George Soros në Rajon, Edi Ramës.” – tha Berisha në emisionin “Log” të gazetarit Endri Xhafo në News24.