Vendosni fjalën kyçe....

Rritet konsumi i karburanteve, kafesë, cigareve; Doganat mbledhin 45 milionë euro më shumë


Ekonomia vendase ka shënuar rritje të konsumit në 10 muajt e këtij viti, e ndikuar pozitivisht nga turizmi.

Të dhënat nga Doganat tregojnë për një rritje të importeve të karburanteve, cigareve, birrës dhe kafesë.

Të ardhurat nga akciza gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti arritën në total 48 miliardë lekë, ose 4,5 miliardë lekë më shumë krahasuar me 10-mujorin e vitit paraardhës.

Performanca e të ardhurave nga akciza ka qenë pozitive pavarësisht zhvlerësimit të dollarit dhe euros ndaj lekut, pasi është mbështetur nga rritja e sasisë së konsumit me 31,608 ton më shumë se 10-mujori i vitit të kaluar.

Po ashtu, edhe artikujt e tjerë të akcizës kanë një performancë shumë të mirë në të ardhura, krahasuar me 10-mujorin 2023.

Konkretisht, cigaret kanë realizuar 1,7 milion lekë më shumë të ardhura, gazi 154 milion lekë më shumë, ndërsa mallrat e tjera 228 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Edhe konsumi i artikujve të akzizës po ashtu është rritur, konkretisht cigare 55 ton më shumë, karburanti 31,608 ton më shumë, birra 6,984 ton më shumë dhe kafja 249 ton më shumë, duke arritur kështu nivelet më të larta historike.

Faktorët kryesorë në realizimin e të ardhurave nga akciza lidhen me forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës me një plan masash që përfshin të gjitha strukturat doganore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor