Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të i kthejnë Indisë antikitetet e grabitura me vlerë 10 milionë dollarë


SHBA-të i kanë kthyer Indisë më shumë se 1,400 artefakte të grabitura me vlerë 10 milionë dollarë, si pjesë e një nisme në vijim për riatdhesimin e artit të vjedhur nga vendet në gjithë Azinë Jugore dhe Juglindore, njoftoi të mërkurën zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit.

Mallrat e trafikuara të gjetura përfshijnë sende që deri vonë gjendeshin në Muzeun Metropolitan të Artit të Nju Jorkut. Midis tyre është një skulpturë ranore e një balerine që u kontrabandua nga India qendrore në Londër, përpara se t’i shitej në mënyrë të paligjshme një prej klientëve dhe t’i dhurohej muzeut.

Riatdhesimet nisën nga “disa hetime të vijueshme” në rrjetet e plaçkitjes, duke përfshirë ato të përdorura nga trafikantët e dënuar të artit Nancy Wiener dhe Subhash Kapoor, një tregtar amerikan i antikiteteve i cili u dënua me 10 vjet burg për drejtimin e një rrjeti grabitjesh multimilionëshe përmes galerive të Nju Jorkut.

Kapoor u dërgua për t’u përballur me akuza në shtetin Tamil Nadu të Indisë pas arrestimit të tij në Gjermani në vitin 2011.

Mallrat u kthyen zyrtarisht në një ceremoni në konsullatën indiane në Nju Jork të mërkurën.

Që nga themelimi i saj më shumë se një dekadë më parë, Njësia e Trafikimit të Antikiteteve ka rikuperuar 5,800 antika me vlerë gati 460 milionë dollarë.