Vendosni fjalën kyçe....

Alex Soros shpjegon fitoren e Trump-it: Ishte një ‘super kandidat’ që Demokratët e nënvlerësuan


Djali i miliarderit të njohur dhe donatorit të kauzave Demokratike, George Soros, tha se Presidenti i zgjedhur Donald Trump mposhti Zëvendëspresidenten Kamala Harris sepse ishte një “super kandidat” që partia e tij e kishte nënvlerësuar. 

“Shumë Demokratë po luftojnë mes tyre mbi taktikat e fushatës sepse është më e lehtë sesa të pranojnë që Trump u nënvlerësua si kandidat,” shkroi Alex Soros, 39 vjeç, në platformën X të premten.

“Ai ishte një ‘super kandidat’ me një tërheqje në rritje për një elektorat më të gjerë – ndoshta përtej kapacitetit si të Demokratëve ashtu edhe të Republikanëve,” shtoi ai, përcjell NY Post.

Soros dhe fondacioni i tij janë ndër kontribuesit më të mëdhenj në kauzat dhe kandidatët e majtë, dhe fraza “super kandidat” u huazua nga një deklaratë e bërë nga strategu Republikan Alex Stroman. 

“Trump ishte një super kandidat dhe ndoshta tani po merr njohjen që meriton,” tha Stroman për faqen e lajmeve politike NOTUS. 

Miliarderi Elon Musk, i cili së fundmi u emërua bashkëdrejtues i Departamentit të Efiçencës Qeveritare (DOGE) nga Trump, tha se ishte dakord me vlerësimin e Soros. 

“Publiku gjithashtu beson në platformën e tij dhe refuzoi ideologjinë e majtë ekstreme të Partisë Demokratike aktuale,” shtoi Musk në X, platformën që ai zotëron. 

“Demokratët do të jenë më të suksesshëm nëse bëhen më qendrorë dhe afrohen me vlerat dhe besimet e njerëzve,” theksoi Musk. 

Familja Soros investoi të paktën 60 milionë dollarë në garat Demokratike këtë vit dhe mbështeti Presidentin Biden në përpjekjen e tij për rizgjedhje, duke kaluar më vonë mbështetjen te Harris pasi Biden, 81 vjeç, u tërhoq nga gara. 

Trump mposhti Harris me 312 vota elektorale kundrejt 226 dhe fitoi për herë të parë edhe votën popullore në tre garat e tij për president.