Kjo ishte java e fundit e diskutimeve mbi buxhetin në komisionet parlamentare. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, publikoi një video në “Ditarin e saj të javës”, ku analizoi në detaje buxhetin e vitit 2025, i cili pritet të debatohet në Kuvend të hënën.
Tabaku kritikoi ashpër qasjen e qeverisë socialiste ndaj financave publike, duke e quajtur buxhetin e propozuar “buxheti socialist nr. 12”, që sipas saj nuk ul çmimet, nuk rrit rrogat dhe pensionet e shqiptarëve, por favorizon një pakicë të privilegjuar që përfiton nga modeli aktual ekonomik.
“Në një kohë kur çmimet janë rritur me 55% dhe shqiptarët paguajnë kosto të ngjashme me vendet e Bashkimit Europian, pensionet dhe rrogat vazhdojnë të jenë ndër më të ulëtat në rajon. Ky buxhet nuk sjell zgjidhje për shumicën e shqiptarëve, por vijon të mbështesë një sistem që pasuron monopolet dhe lë jashtë vëmendjes shtresën e mesme, rininë dhe bujqësinë,” theksoi Tabaku.
Tabaku përmendi se shqiptarët përballen me një rritje të çmimeve prej 55%, ndërsa fuqia e tyre blerëse është ndër më të ulëtat në rajon. “Pensionistët jetojnë me pensionet më të ulëta në rajon, në një kohë kur ata paguajnë çmime të ngjashme me ato të Bashkimit Europian. Kjo është një padrejtësi që ky buxhet nuk e zgjidh,” deklaroi ajo.
Anëtarja e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, Tabaku, denoncoi faktin se politikat fiskale janë ndryshuar plot 180 herë gjatë viteve të fundit, por gjithmonë në disfavor të shtresës së mesme dhe të atyre që përpiqen të ndërtojnë një jetë më të mirë në Shqipëri. “Çdo ndryshim fiskal ka rënduar mbi shtresën e mesme, duke e mbitaksuar dhe duke e larguar nga vendi,” tha ajo.
Më tej ngriti shqetësimin për valën e largimeve të të rinjve, të cilët përbëjnë 40% të forcës aktive të punës, por nuk shohin asnjë mundësi në Shqipëri. “Ky buxhet nuk ka asnjë masë për të mbajtur të rinjtë këtu. Përkundrazi, politikat e qeverisë i shtyjnë ata drejt emigrimit,” shtoi ajo.
Bujqësia, që është jetike për ekonominë dhe punësimin e qindra mijëra shqiptarëve, vazhdon të jetë në rënie për shkak të mungesës së mbështetjes nga buxheti. “450 mijë shqiptarë jetojnë në fshat, por vetëm 75 mijë prej tyre janë të siguruar dhe të punësuar zyrtarisht. Ky është një realitet që qeveria nuk e adreson,” deklaroi ajo.
Deputetja ofroi një alternativë të qartë: “Ne duhet të ndryshojmë këtë model ekonomik që punon kundër shumicës dhe të investojmë në sektorë strategjikë si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia. Shqipëria ka nevojë për një buxhet që punon për 95% të qytetarëve, jo vetëm për një pakicë të privilegjuar.”
Beteja e saj ndaj këtij modeli ekonomik, siç deklaroi në video, mbetet jetik për te4 ndërtuar nje4 ekonomi që punon pe4r shqiptarët.
Fjala e plotë:
Nga viti 2013 e deri më sot janë miratuar 12 buxhete socialiste. Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve me ekonominë shqiptare dhe me financat e grupeve më të rëndësishme të shqiptarëve? Le ta nisim me pensionistët, duke vazhduar me rininë, shtresën e mesme, profesionistët e lirë dhe duke përfunduar me bujqësinë.
Sot kemi një model ekonomik të përqendruar në pak duar. Dyqind biznese përfitojnë thuajse të gjithë të ardhurat ekonomike të vendit. Ky model ekonomik favorizon vetëm 5% të shqiptarëve, të cilët përfitojnë ulje taksash, lehtësira dhe fonde nga buxheti i shtetit, ndërsa 95% e qytetarëve mbajnë mbi supe koston e rritjes së çmimeve, taksave të larta dhe shpërndarjes së padrejtë të buxhetit.
Le t’i analizojmë me radhë. Sipas INSTAT-it, çmimet janë rritur me 55%. Po pensionet? A janë rritur ato me të njëjtën përqindje? A janë sot pensionistët më mirë apo më keq? Ndërkohë që ata paguajnë çmime të ngjashme me ato të vendeve të Bashkimit Europian, marrin pensionet më të ulëta në rajon dhe sigurisht shumë më të ulëta se në BE. Fuqia blerëse e pensionistëve shqiptarë është vetëm 40%. Në të vërtetë, shqiptarët shpenzojnë 40% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime.
Gjatë këtyre viteve, 180 herë janë ndryshuar politikat fiskale, por a ka pasur ndonjë ndryshim fiskal në favor të shtresës së mesme? Përkundrazi, janë miratuar ligje që kanë dëmtuar drejtpërdrejt këtë shtresë. A kemi parë ndonjë politikë fiskale që mbështet rininë dhe ndalon largimin e saj? Rinija, që përbën 40% të forcës aktive të punës, është larguar nga vendi. Po për bujqësinë? Apo për shtresat në nevojë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Jo!
Ne mund të kemi mendime të ndryshme politike apo ideologjike. Disa janë të djathtë, disa të majtë, të tjerë pa përkatësi të qartë partiake, por ekonomia na prek të gjithëve njësoj. Kostoja ekonomike rëndon në xhepat e të gjithëve.
Shqipëria përballet sot me disa emergjenca për të cilat buxheti i shtetit nuk ofron zgjidhje. Kemi një mungesë të theksuar në fuqinë punëtore dhe probleme me shpërndarjen e rritjes ekonomike në të gjithë sektorët. Shqipëria ka potencial të madh të pashfrytëzuar, veçanërisht në bujqësi, ku 450 mijë shqiptarë jetojnë në fshat, por vetëm 75 mijë prej tyre janë të siguruar dhe të punësuar zyrtarisht. Kush është përgjegjës për këtë situatë? Kush mban përgjegjësinë për rininë që po largohet, për pensionistët që jetojnë në kushte të vështira, për shtresën e mesme që është e mbitaksuar?
Fajtor për këtë situatë është buxheti socialist, i cili nuk ofron asgjë për shqiptarët. Ky është një model ekonomik që i ka përqendruar të ardhurat në pak duar, që sektorët strategjikë si bujqësia dhe industria i ka lënë në rënie, dhe që pengon zhvillimin. Është një model që nuk i përgjigjet kërkesave të tregut, por synon të pasurojë një grup të vogël njerëzish.
Së pari, buxheti nuk duhet të ketë përjashtime fiskale të pakuptimta. Duhet të vendosim rregulla për një taksim të drejtë mbi punën dhe bizneset, që mbështesin sipërmarrësit dhe idetë novatore, jo të subvencionojmë largimin e shqiptarëve. Së dyti, bujqësia duhet të subvencionohet dhe mbështetet me politika që nxisin prodhimin dhe zhvillimin e fshatit, jo të pengohet me taksa të padrejta. Së treti, buxheti duhet të shpërndahet në sektorë prioritarë si arsimi, që rinia të jetë e përgatitur për tregun e punës, dhe shëndetësia, që shqiptarët të mos përballen me raste tragjike për shkak të mungesës së sigurisë shëndetësore.
Buxheti i vitit 2025 nuk është buxheti i 95% të shqiptarëve. Është një buxhet tjetër socialist, në shërbim të 5% të privilegjuarve, njësoj si 11 buxhetet e kaluara që kanë përqendruar ekonominë në pak duar. Ky model duhet të ndryshojë. Shqipëria ka nevojë për një model të ri ekonomik që ofron mundësi të barabarta dhe mbështet të gjithë qytetarët, jo vetëm një pakicë.