Shtatë shtetas shqiptar dhe 3 të huaj janë vënë në pranga gjatë megaoperacionit të SPAK, i cili zbërtheu rrjetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës që importohej nga Amerika Latine.
Kokaina trafikohej nga Amerika Latine dhe përpunohej në një laborator në fshatin Qerekë, Fushë Krujë.
Droga fshihej në lëkurë gjedhi të kriposur të importuar nga Amerika Latine.
U sekuestrua 48 ton lëkurë gjedhi të kriposur të dyshuara si të përmbajnë drogë, 6.1 kg kokainë e përpunuar, 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion kimik për përgatitjen e kokainës dhe 36,270 euro, 57 milionë peso kolumbiane dhe shuma të tjera parash.
Operacioni u drejtua nga SPAK dhe BKH me bashkëpunimin e agjencive vendase dhe ndërkombëtare, pas një hetimi intensiv mbi një vit.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme zbardhi detajet e operacionit të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në disa zona të vendit duke arritur të zbërthejë aktivitetin kriminal të një grupi të sofistikuar të cilët nga Amerika Latine trafikonin në Shqipëri kokainën e cila përpunohej në laboratorin e ngritur në fshatin Qerekë të Fushë Krujës.
Ekspertët e përpunimit të lëndës narkotike kishin ardhur nga Kolumbia dhe Venezuela të cilët bënin përzierjen e lëndës narkotike në Qerekë dhe më pas ajo hidhej në tregun vendas e atë europian.
Bie në sy rruga si importohej droga nga Amerika Latine duke e fshehur në lëkurë gjedhi të kriposur.
Gjatë operacionit janë sekuestruar material i papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM;
3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
“Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.
Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Të arrestuarit janë:
Shtetas shqiptar:
G.S., 42 vjeç, banues në Tiranë
K.B., 40 vjeç, banues në Tiranë
A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
E.S., 25 vjeç, banues në Krujë
A.Z., 37 vjeç, banues në Tiranë
I.A., 51 vjeç, banues në Shkodër
B.H., 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
H.L.N., 41 vjeç, shtetas kolumbian
J.R.V., 35 vjeç, shtetas venezuelian
S.A.S., 42 vjeç, shtetas venezuelian