Vendosni fjalën kyçe....

Mike Tyson mposhtet nga 27- vjeçari Jake Paul, në një përballje që nuk përmbushi pritshmëritë


Jake Paul i dha fund mbrëmjes duke ulur dorezat dhe përkulur kokën me respekt ndaj legjendës së boksit Mike Tyson, por ky akt nuk bindi turmën prej rreth 72,000 spektatorësh që mbushën stadiumin e Dallas Cowboys të premten mbrëma. 

Paul, 27-vjeçari i kthyer në boksier pas karrierës si YouTuber, fitoi me vendim unanim pas tetë raundesh kundër Tyson-it, ish-kampionit të peshave të rënda, i cili u rikthye për një përballje të licencuar pas gati 20 vitesh. 

Boos-et nga tifozët të zhgënjyer me mungesën e aksionit ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke reflektuar skepticizmin e tyre për këtë përballje që kishte ngjallur pyetje për legjitimitetin e saj që përpara se të zhvillohej. 

Paul dominoi në kartat e gjyqtarëve, me një rezultat 80-72 nga njëri dhe 79-73 nga dy të tjerët. Por pavarësisht fitores së qartë, turma filloi të largohej nga stadiumi përpara se të shpallej vendimi. 

Në fund të ndeshjes, Paul tha: 

“Le të nderojmë Mike-un. Ai është më i madhi që ka ekzistuar ndonjëherë. Unë e admiroj dhe frymëzohem prej tij.” 

Megjithatë, komentet e tij nuk arritën të fitonin mbështetjen e një audience që kishte shpresuar për një përballje më dramatike. 

Tyson, 58 vjeç, ishte një nga figurat më ikonike të boksit në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, ndërsa Paul ka krijuar emër në botën e sportit përmes famës në rrjetet sociale dhe një serie përballjesh që shpesh kanë qenë të diskutueshme.

 Kjo ndeshje, një përzierje e të shkuarës dhe të tashmes së boksit, nuk arriti të ofrojë emocionet që shumë kishin pritur.