Vendosni fjalën kyçe....

Shpallen fituesit në panairin e 27-të të librit, Enkel Demi merr çmimin “Autori i vitit” me romanin “I rënë nga qielli”


Panairi i 27-të i Librit ka shpallur fituesit e çmimeve më prestigjioze në fushën e letërsisë dhe përkthimit për këtë vit. Autorë, përkthyes dhe studiues të njohur u nderuan për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në fushat përkatëse.

 

Enkel Demi, Autor i Vitit

Çmimi për Autorin më të Mirë të Vitit iu akordua Enkel Demit për romanin e tij “I rënë nga qielli”, i botuar nën pseudonimin e tij, Tom Kuka.

Juria vlerësoi trajtimin me mjeshtëri stilistikore të një teme të mprehtë dhe shumëdimensionale, e cila trajton periudhën e tranzicionit shqiptar, por gjithashtu merr dimensione universale. “I rënë nga qielli” përqendrohet në përpjekjen e individëve për të bërë një jetë të kuptimshme në kushte të absurdit kolektiv.

 

Milena Selimi, Përkthyesja e Vitit

Për Përkthimin më të Mirë, çmimi iu dha Milena Selimit për përkthimin e romanit “Kohëstrehim” të Georgi Gospodinov, fitues i çmimit International Booker Prize. Selimi u vlerësua për aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të transmetuar në shqip thellësinë dhe emocionet e romanit të Gospodinov, duke ruajtur në çdo faqe kompleksitetin e tematikës dhe fuqinë narrativore të tekstit origjinal.

Në motivacionin e dhënë, juria theksoi se përkthimi i Selimit pikasi për “për zgjidhjen me pjekuri përkthimore, falë edhe bashkëpunimit me vetë autorin, e detyrave të vështira të sjelljes në shqipe të një romani i cili e zhyt lexuesin në mjedisin e një ‘klinike të së kaluarës’, ku ironia dhe trishtimi, na flet për një të ardhme të paqartë.”

 

Viola Isufaj, Fiton Çmimin për Studimin më të Mirë

Çmimi për Studimin më të Mirë iu akordua Viols Isufajt për veprën “Baladë dritash për Zorbën”, një studim i thellë mbi figurën e shkrimtarit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Zef Zorba. Juria e vlerësoi këtë punë për kontributin e saj të rëndësishëm në historiografinë letrare shqipe, duke zbuluar aspekte të reja të personalitetit të Zorbës dhe për të çuar më tej njohuritë për ndikimin e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

 

Anastas Angjeli, Çmimi i Karrierës

Një çmim i veçantë i karrierës iu dhënë ekonomistit dhe studiuesit të njohur, Anastas Angjeli, për veprën e tij “Institucionet e Bretton Woods dhe Shqipëria”. Juria vlerësoi kontributin e tij në studimet e ekonomisë dhe politikës shqiptare, duke e pozicionuar këtë punë si një hulumtim të thellë dhe gjithëpërfshirës mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare.

 

Çmimi i Ambasadës Franceze

Po ashtu, çmimi i Ambasadës Franceze për Përkthimin më të Mirë nga Gjuha Frënge shkoi për Lindita Gjetanin, për përkthimin e romanit “Mirë u pafshim atje lart” të autorit Pierre Lemaitre. Juria vlerësoi aftësinë e Gjetanit për të ruajtur me saktësi dhe elegancë atmosferën dhe intensitetin emocional të romanit, i cili përshkruan tmerrin dhe pasojat e Luftës së Parë Botërore. Përkthimi i Gjetanit u cilësua si një arritje e madhe, pasi ajo ka sjellë në shqip një nga romanet më të njohura të letërsisë frënge.

Shoqata e Botuesve të Shqipërisë ka shprehur urimet e saj për të gjithë fituesit e këtij viti dhe ka falënderuar Jurinë për punën e saj. Juria e Panairit të 27-të të Librit u përbë nga përkthyesi Ilir Baçi (kryetar), pedagogia Lili Sula, poetja Ledia Dushi, gazetarja e kulturës Anisa Ymeri dhe përkthyesi Ben Andoni.

 

Ky panair, si çdo vit, ka shërbyer si një ngjarje e rëndësishme kulturore për lexuesit shqiptarë dhe ka ofruar një mundësi të shkëlqyer për të njohur dhe promovuar autorët dhe veprat më të fundit të letërsisë shqipe dhe botërore.