Një sulm me thikë në një shkollë profesionale në provincën Jiangsu të Kinës, të shtunën në mbrëmje, shkaktoi vdekjen e 8 personave dhe plagosjen e 17 të tjerëve, sipas raportimeve të policisë.
Sulmi ndodhi në Institutin Profesional të Arteve dhe Teknologjisë në qytetin Yixing. Autoritetet identifikuan autorin e ngjarjes si një student 21-vjeçar, i identifikuar vetëm me emrin Xu, p;ecjell Anadolu.
Sipas policisë, Xu ishte i motivuar nga zemërimi për shkak të dështimit të tij për të kaluar provimet dhe për të marrë diplomën nga instituti. Gjithashtu, ai shprehu pakënaqësi lidhur me kompensimin e tij gjatë praktikës profesionale.
Policia raportoi se Xu është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Sulmi është një tjetër shembull tragjik i dhunës me thikë në Kinë, ku janë regjistruar disa raste këtë vit, ku në shtator 2024 një burrë 44-vjeçar dyshohet se goditi me thikë një nxënës japonez 10-vjeçar në qytetin Shenzhen, ndërsa në qeshor në Kinën verilindore, katër pedagogë kolegji nga SHBA dhe një turist vendas u plagosën nga një tjetër sulm me thikë.
Autoritetet kineze janë përballur me thirrje për rritjen e masave të sigurisë dhe adresimin e faktorëve socialë dhe të shëndetit mendor që shpesh lidhen me këto incidente të dhunshme.