Vendosni fjalën kyçe....

Biden i jep leje Ukrainës të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi thellë në territorin rus


Presidenti Joe Biden ka autorizuar Ukrainën të përdorë armë të fuqishme amerikane me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë, sipas një zyrtari të lartë amerikan të njohur me vendimin, ndërsa trupat e Koresë së Veriut janë vendosur në mbështetje të përpjekjeve të Moskës.

Vendimi vjen pasi Rusia ka vendosur rreth 50,000 trupa në Kursk, rajoni jugor rus ku Kievi nisi një kundërofensivë të befasishme në verë, për t’u përgatitur për të rimarrë territorin.

Mijëra trupa të Koresë së Veriut janë vendosur në Kursk si pjesë e ofensivës. Biden dhe këshilltarët e tij janë të shqetësuar se hyrja e trupave të Koresë së Veriut në konflikt mund të çojë në një fazë të re të rrezikshme në luftë.

Vendimi për të lejuar përdorimin e Sistemeve Raketore Taktike të Ushtrisë, ose ATACMS, ishte në shqyrtim prej muajsh. Zyrtarët amerikanë ishin të ndarë përsa ipërket lejimit ose jo të këtyre sistemeve. Disa shprehën shqetësim për përshkallëzimin e luftës, ndërsa të tjerë shqetësoheshin për pakësimin e rezervave të armëve.

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky i kishte bërë presion Uashingtonit që të lejonte përdorimin e armëve brenda Rusisë, duke argumentuar se do ishte thelbësore.