CIA dhe FBI-ja paditen nga familjarët e Malcolm X


Tre nga vajzat e Malcolm X kanë ngritur padi kundër CIA-s, FBI-së dhe Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, duke akuzuar agjencitë për bashkëpunim në vrasjen e aktivistit militant me ngjyrë të zezë.

E paraqitur në një gjykatë në Manhattan të premten e shkuar, padia pretendon se CIA, FBI-ja dhe NYPD ishin në dijeni të një komploti për të vrarë Malcolm X, por nuk vepruan. Ajo pretendon se NYPD arrestoi rojet e tij disa ditë përpara vrasjes, ndërsa agjentët e fshehtë të CIA-s dhe FBI-së, të cilët ishin të pranishëm natën e të shtënave fatale, ishin pranë vrasësit kur ai qëlloi.

Padia pretendon se kishte një marrëdhënie “korruptive, të paligjshme dhe antikushtetuese” midis agjencive dhe “vrasësve të pamëshirshëm që kaluan të pakontrolluar për shumë vite dhe u fshehën, mbroheshin dhe ndihmoheshin në mënyrë aktive nga agjentët e qeverisë”.

“Ne besojmë se ata të gjithë komplotuan për të vrarë Malcolm X, një nga udhëheqësit më të mëdhenj të mendimit të shekullit të 20-të,” tha avokati i të drejtave civile Ben Crump, i cili përfaqëson familjen.

Agjencitë mbuluan përfshirjen e tyre në vrasje për dekada, “duke bllokuar qasjen e familjes Shabazz në të vërtetën dhe të drejtën e tyre për të gjetur drejtësinë”, pohoi Crump.

Malcolm X u bë i njohur si zëdhënësi kombëtar i Kombit të Islamit (NOI). Ai mbajti emrin el-Hajj Malik el-Shabazz gjatë kohës së tij me NOI, megjithëse i ndërpreu lidhjet me grupin në fillim të viteve 1960.

Malcolm X u qëllua për vdekje teksa po përgatitej të mbante një fjalim në një sallë vallëzimi në Nju Jork në vitin 1965. Vrasja e tij fillimisht iu ngarkua tre anëtarëve të NOI – Muhammad Abdul Aziz, Khalil Islam dhe Thomas Hagan – të cilët u akuzuan, u gjykuan dhe dënuan për vrasjen.

Pasi kaluan mbi 20 vjet në burg, në nëntor 2021, Aziz dhe Islam u shfajësuan dhe iu dhanë 36 milionë dollarë për dënime të gabuara. Kjo ndodhi pasi zyrat e prokurorit të qarkut të Manhatanit zbuluan se prokurorët dhe FBI-ja kishin fshehur provat kryesore që do lironin dy burrat.

Ndryshe nga Martin Luther King, i cili bëri fushatë për integrimin racor në SHBA, Malcolm X mbrojti ndarjen e plotë të të bardhëve dhe zezakëve. Ai argumentoi se amerikanët e zinj meritonin dëmshpërblime dhe shtetin e tyre të pavarur në jug të SHBA-së dhe u bëri thirrje ndjekësve të tij që të përdorin dhunën për të arritur këtë qëllim nëse do ishte e nevojshme, megjithëse më vonë ai e zbuti retorikën e tij dhe bashkëpunoi me organizata të tjera të të drejtave civile.