Ka ndërruar jetë ish- anëtari i Gjykatës së Lartë Darjel Sina.
Sina vuante nga një sëmundje e rëndë.
45-vjeçari Sina humbi jetën në intubim tek QSUT, ndërsa ka qenë për t’u mjekuar më herët edhe në Europë, në shtete si Danimarka, Italia dhe Dubai.
Pas ishte kthyer nga jashtë, ai u shtrua në QSUT dhe kishte 3 ditë që qëndronte atje, para se të humbte jetën ditën e sotme.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, pezulloi detyrën për shkak të sëmundjes së rëndë duke dhënë dorëheqjen.
Darjel Sina ka përfunduar studimet e postdoktoraturës në Universitetin e Zyrihut në Zvicër, me bursën Federale Zvicerane të Ekselencës në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe Bankare. Sina ka përfunduar studimet e tij në doktoraturë, master i arteve dhe bachelor në Universitetin Kombëtar të Athinës/Fakulteti Juridik. Ai mban titullin akademik Profesor i Asociuar që nga maji i vitit 2014. Eksperienca e fundit e punës së gjyqtarit Sina ka qenë Komisioner Publik pranë Institucionit të Komisionerit Publik dhe më përpara Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë.
Në nëntor të vitit 2021, Sina është përzgjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të përfaqësuar shtetin shqiptar në programin International Visitor Leadership Program me tematikë Rule of Law and the U.S. Judicial System, i organizuar nga Graduate School USA.
Sina ka punuar si studiues në Universitetin e Zyrihut dhe përpara kësaj eksperience ka punuar Dekan pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Luarasi, në Universitetin Evropian të Tiranës si Profesor dhe përpara kësaj eksperience ka qënë i punësuar si asistent Profesor në Universitetin Kombëtar të Athinës, nën drejtimin e Profesor Andreas Dimitropoulos. Pas diplomimit ka punuar për shumë vite asistent avokat në Athinë, Greqi.