Vendosni fjalën kyçe....

Ndihmësi i Netanyahut zbuloi dokumentet sekrete për të ndikuar opinionin publik në negociatat e pengjeve


Një ndihmës i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dyshohet se ka shitur informacion sekret te shtypi i huaj me shpresën se do ndikonte në opinionin publik në negociatat e pengjeve, sipas një njoftimi gjyqësor të botuar të dielën.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Eliezer Feldstein u arrestua në fillim të këtij muaji për zbulimin e “informacioneve të fshehta dhe të ndjeshme të inteligjencës”. Deklarata e gjykatës përshkruan më shumë hollësi rreth kësaj rrjedhjeje të supozuar.

Sipas gjykatës së magjistraturës së Rishon Lezion, rrjedhja filloi kur një nënoficer (NCO) në rezervat ushtarake izraelite mori një “dokument shumë të ndjeshëm dhe të klasifikuar” nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Në prill të këtij viti, nënoficeri i dërgoi një kopje të dokumentit Feldstein, që ia shpërndau atë mediave izraelite në shtator “me synimin për të ndikuar opinionin publik mbi negociatat në vijim në lidhje me pengjet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kjo erdhi menjëherë pasi ushtria izraelite njoftoi më 1 shtator se gjashtë pengje izraelite u vranë në Gaza. Katër prej tyre do liroheshin në valën e parë të një marrëveshjeje të mundshme.

Mediat izraelite u penguan të publikonin shkrime në lidhje me dokumentin e zbuluar nga autoritetet e censurës së vendit, thuhet në njoftimin e gjykatës, kështu që Feldstein “vendosi të anashkalojë censurën dhe ta publikojë dokumentin në mediat e huaja”.

Dy shkrime të botuara në shtator, një në “Jewish Chronicle” të Mbretërisë së Bashkuar dhe një tjetër në “Bild” të Gjermanisë, përfshinin informacione në lidhje me rrjedhjet e informacioneve sekrete. Të dy cituan burime të inteligjencës izraelite dhe mbështetën një narrativë të shtyrë nga Netanyahu në atë kohë.

Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid dhe Benny Gantz – të cilët u larguan nga kabineti i luftës së Netanyahut në fillim të këtij viti – i shfrytëzuan rrjedhjet e supozuara duke e quajtur qeverinë të dështuar, me Gantz që e quajti atë një “krim kombëtar”.

Të dy fajësuan zyrën e Netanyahut për rrjedhjen, me Gantz që akuzoi Netanyahun për shfrytëzimin e rrjedhjeve për përfitime politike.

Një zëdhënës i Netanyahut mohoi në fillim të këtij muaji se kishte rrjedhje nga Zyra e Kryeministrit (PMO) dhe tha se “personi në fjalë nuk mori pjesë kurrë në diskutime të lidhura me sigurinë”, me sa duket duke iu referuar Feldstein.

PMO gjithashtu minimizoi mundësinë që rrjedhja të kishte ndikuar në bisedimet me Hamasin për lirimin e pengjeve nga Gaza, duke e quajtur pretendimin “qesharak”.

CNN ka kontaktuar me avokatin e Feldstein për koment.