Vendosni fjalën kyçe....

Qori: Policia bashkiake e Korçës na grisi dhe hoqi lajmërimet e takimit


Lëvizja Bashkë kishte paralajmëruar prej ditësh një takim të saj me banorët e Korçës që u zhvillua mesditën e kësaj të diele te kinema “Millenium”.

Në këtë takim, kreu i kësaj lëvizjeje Arlind Qori akuzoi policinë bashkiake të Korçës si të angazhuar në sabotimin e këtij organizimi.

“Në fakt ka shtet, si nuk ka, se këtë e treguan policë bashkiakë të Korçës që grisën afishimet publike për këtë takim” tha Arlind Qorri.

Më herët, edhe anëtarë të kësaj lëvizjeje e shprehën si shqetësim përfshirjen sipas tyre të personave nga policia bashkiake e Korçës në grisjen e afisheve të vendosura në vende të ndryshme të qytetit për takimin e së dielës me qytetarë korçarë.

Ngrohtësia e mikpritjes korçare ishte në antitezë me temperaturat e ulëta të qytetit të mësonjëtores së parë shqipe.

Na u dha rasti të diskutojmë me qindra qytetarë për shumë problematika: për pensionet e urisë për pleqtë dhe për mungesën e perspektivës për të rinjtë; për produktin bujqësor që kalbet në fushat e Drenovës e të Maliqit; për shërbimin e munguar spitalor dhe për ilaçet e papërballueshme.

Shtruam alternativa dhe debatuam ide, u zotuam se do mbrojmë çdo votë të secilit prej qytetarëve, por mbi të gjitha, nga takimi dolëm me zemrat plot me shpresën e të resë që po lind, tashmë edhe në qytetin e Korçës”-thuhet në postimin e Lëvizjes Bashkë për organizimin e takimit në Korçë.