Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen dy të rinj në Lezhë, sekuestrohen qindra doza kanabisi


Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin “Start-Smart” pas një hetimi disajavor.

Sekuestrimi i 341 dozave kanabis, një arme gjahu, municion luftarak, 2 automjetesh, 6 celularëve dhe shuma parash prej 5050 euro dhe 513,000 lekë.

M.P., 29 vjeç dhe A.Gj., 30 vjeç, për prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim.

DVP Lezhë

Finalizohet pas një hetimi disajavor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Start-Smart”, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.

Gjatë operacionit u sekuestruan qindra doza kanabisi gati për shitje, 1 armë gjahu, municion luftarak, 2 automjete, 6 celularë dhe shumë parash në lekë dhe euro.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

M. P., 29 vjeç dhe A. Gj., 30 vjeç, banues në Lezhë, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, ndërkohë që qarkullonin me automjet, në qytetin e Lezhës. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve procedurale janë ushtruar kontrolle në banesën e shtetasit M. P., ku u gjetën 323 doza kanabisi, dhe në banesën e shtetasit A. Gj., ku u gjetën 18 doza kanabisi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të operacionit, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit P. P., 60 vjeç (babai i shtetasit M. P.) dhe A. Gj., 24 vjeçe (bashkëjetuesja e shtetasit A. Gj.).

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

A. Gj., 66 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, pasi iu gjetën në banesë, një armë gjahu dhe municion luftarak, që i mbante pa leje;

D. F., 36 vjeç, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi iu gjetën në banesë, 5050 euro dhe 513 000 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.