Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti 2025/ Tabaku: Filozofia e kësaj qeverie, merrja të voglit për t’ja falur oligarkut


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin e vitit 2025 gjatë seancës parlamentare të sotme, duke theksuar se ai nuk adreson problematikat e shqiptarëve dhe ndihmon më shumë oligarkët se qytetarët.

Tabaku u shpreh se çmimet në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa bujqësia dhe turizmi, dy sektorë kyç të ekonomisë, nuk po performojnë si duhet.

Deputetja vuri në pikëpyetje shifrat e raportuara për rritjen ekonomike dhe theksoi se kjo rritje nuk po ndihet nga qytetarët. “A e ndjejnë pensionistët këtë rritje ekonomike?

“Unë kam dyshimet e mia në këto shifra që u thanë. Këtu nëse je një sipërmarrës dhe ke një biznes të vogël duhet të paguash TVSH 20 për qind, por nëse ke një biznes të madh ke përjashtim special.

Nëse je pensionist duhet të paguash TVSH për ushqimet. Filozofia e kësaj qeverie është merrja të voglit për t’ja falur të madhit, oligarkë. Askush nuk mban përgjegjësi për atë që i ka shkaktuar vendit, është krijuar një situatë e paprecedentë me buxhetin.

Dëgjuam për rritjen ekonomike, po a e ndjejnë shqiptarët këtë rritje ekonomike, a ndjejnë pensionistët këtë rritje, a e ndjejnë bujqit. Sektori i bujqësisë është sot 18 për qind e produktit të brendshëm bruto dhe nga vitit 2021 është me rënie.

Çmimet në Shqipëri janë më të larta në krahasim me rajonin. Bujqësia dhe turizimi nuk po reflekton, bujqësia ka shumë të punësuar dhe në vendet e tjera ky sektor performon më shumë. Përgjigjja që kanë kërkuar shqiptarët në 12 vite nuk do të vijë as me këtë buxhet”, tha ajo.